Pandemia ka ndikuar edhe në dëmtimin e cilësisë në arsim

Kosova

Pandemia ka ndikuar edhe në dëmtimin e cilësisë në arsim

Më: 19 shtator 2021 Në ora: 07:41
Ilustrim

Mes shumë sfidash, në luftë me pandeminë COVID-19 dhe variantet e reja, më 26 shtator pritet të nis viti i ri shkollor. Por, sa pritet të ketë cilësi, flasin kompetentë të fushës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se orët e humbura do të kompensohen.

“Të hënën është mbledhja e task forcës në nivel të Ministrisë ku do të qartësohet edhe për kompensimin e këtyre ditëve të humbura”, tha ministrja Nagavci, duk bërë të ditur se nëse nuk do të ketë përmirësim të gjendjes epidemiologjike, ende vazhdon të jetë në fuqi edhe varianti i mësimit ‘online’.

Por sa do ndikojë humbja e orëve mësimore në cilësinë në arsim?

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se në këto rrethana pandemie nuk mund të ketë cilësi të lartë në mësim.

“Detyrë parësore e të gjithëve në këto rrethana është mbrojtja e shëndetit e të gjithëve, sidomos e fëmijëve… Dhe të gjithë e dinë se në rrethana të tilla nuk mund të ketë cilësi, jo vetëm në Kosovë, por as në shtetet e tjera”, tha ai, për RTV21.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të arsimit Rinor Qehaja, thotë se pandemia ka dëmtuar cilësinë dhe kjo ka pasoja afatgjate.

“Ne edhe ashtu kemi një sistem arsimor që ka një cilësi jo të mirë. Tani pandemia ka kontribuar që të shpërqendrohet ai përkushtimi në cilësi në një histeri goxha të madhe rreth pandemisë. Kjo do të ketë pasoja afatgjate”, tha ai.

Fillimi i vitit të ri shkollor 2021/22, për shkak të gjendjes epidemiologjike në vend, është shtyrë deri më 26 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat