Vushtrria shtrin rrjetin e menaxhimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat e saj

Kosova

Vushtrria shtrin rrjetin e menaxhimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat e saj

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 14:32
Foto ilustrim

Komuna e Vushtrrisë ka arritur që të shtrijë rrjetin e menaxhimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat e saj. Grumbullimi i mbeturinave për 66 fshatrat e Vushtrrisë bëhet një herë në javë dhe mbeturinat merren shtëpi për shtëpi. Falë këtij menaxhimi është arritur të largohen edhe rreth 200 deponi ilegale.

Kompania që merret me menaxhimin e mbeturinave “Uniteti” ka arritur që gjatë vitit 2020 të grumbullojë rreth 27 mijë kilogramë letër, mbi 15 mijë kilogramë plastikë dhe 197 kilogramë alumin. E njëjta ka bërë që për një vit e gjysmë të inkasojë 400 mijë euro të hyra.

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Vushtrrisë, Shkëlzen Xhaferi, thotë se si Komunë kanë arritur që të krijojnë sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat.

Xhaferi: Kemi sistem të menaxhimit të mbeturinave të shtrirë në tërë territorin e Vushtrrisë

“Kemi sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave dhe të shtrirë në tërë territorin e Vushtrrisë...Gjatë kohës së pandemisë kemi liruar të gjithë kategoritë sociale, mirëpo inkasimi ka qenë në një nivel rekord, mbi 400 mijë euro në vitin 2020 dhe gjashtë mujorin e parë të vitit 2021”, thotë ai.

Falë bashkëpunimi me donatorë, Xhaferi thotë se kanë siguruar kontejnerë për çdo shtëpi. Mbledhja e mbeturinave bëhet nga ndërmarrja “Uniteti” e cila ka në dispozicion 11 kamionë. Një ekip prej tre personave brenda ditës mbulon 400 deri në 450 shtëpi.

Ushtruesi i detyrës së kësaj ndërmarrjeje, Safet Ahmeti, thotë se janë të vetmit që bëjnë mbledhjen e miturinave shtëpi për shtëpi, ndërsa përmend edhe eliminimin e deponive ilegale.

Ahmeti: Një herë në javë shkojmë shtëpi për shtëpi i marrim mbeturinat

“Një herë në javë shkojmë shtëpi për shtëpi i marrim mbeturinat me këtë staf që e kemi. [...] Para 5 viteve të regjistruar kanë qenë afër 200 pika të zeza, kemi arritur me ardhë në 7 pika të zeza. I kemi eliminuar gradualisht, vetëm 7 na kanë mbet, besoj, shpresoj që me ndihmën e komunës qysh është biseduar shumë shpejt do të eliminohen”, thekson ai.

Mbeturinat çdo të hënë grumbullohen edhe në fshatin Zhilivodë, i cili është fshati më i thellë i kësaj komune.

Banori i këtij fshati, Nuradin Krasniqi, thotë se ky shërbim i komunës ka ndikuar që të pastrohet edhe fshati.

Krasniqi: Shumë jemi të kënaqur, është pastruar fshati

“Shumë jemi të kënaqur, është pastruar fshati, pastrohet oborri, pastrohet fshati, rrugët, më mirë nuk ka[...] Ku e kemi gjuajtur, ku ka gjetur dikush një përrua qaty, fëmijët, ajo nuk ka qenë kurrfarë jete, tash është ndryshe, a po e sheh sa mirë. Me ardhë me ta marr këtu bërllokun, ton javën e mbledhim i qesin aty, mbushet kontejneri vjen e merr, ai e qon atje ku është vendi, a fshati mbetet i pastër”, thotë Krasniqi.

Komuna e Vushtrrisë gjatë vitit të kaluar ka miratuar edhe rregulloren për menaxhimin e mbeturinave në territorin e kësaj komune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat