Kandidati i VV-së: Do të përfundojmë furnizimin me ujë në gjithë territorin e Shtimes

Kosova

Kandidati i VV-së: Do të përfundojmë furnizimin me ujë në gjithë territorin e Shtimes

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 00:14
Qemajl Aliu

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se ata kanë hartuar një program që iu përgjigjet problematikave dhe nevojave të banorëve të këtij qyteti.

Ai  ka deklaruar se nëse fiton mendon që të gjitha premtimet t’i realizojë brenda mandatit katër vjeçar.

“Jam plot vullnet dhe energji, kam një plan të mirëfilltë se si duhet dalim nga kjo situatë, kam ndërgjegje dhe duar të pastra, kam program të mirëfilltë dhe kam mbështetjen e Qeverisë Kurti për ta kthyer Shtimen aty ku e meriton”.

“Mendoj se e kam programin më të mirë të Shtimes, e kemi grupin e ekspertëve më mirë. Jemi munduar të hartojmë një program që në radhë të parë iu përgjigjet problematikave dhe nevojave. E kemi një program konkretë, kemi biseduar edhe me ministritë e linjës. Mendojmë që këtë program do ta konkretizojmë dhe do ta aplikojmë brenda mandatit të parë”.

Aliu ka deklaruar se ata mendojnë që të krijojnë dy zona të reja ekonomike atë në drejtim të Lipjanit dhe një qendër inovative për të rinjtë.

“Do të bëjmë ndërtimin e një tregu modern dhe funksional për tregtimin e produkteve vendore të fermerëve, zyrë të veçantë në kuadër të Drejtorisë së Ekonomisë për thithjen e investimeve të huaja, krijimin e infrastrukturës së nevojshme dhe inkurajimin e bizneseve për zhvillimin e turizmit malor, blegtorisë, hotelerisë, sportet malore dhe guidat turistike”.

“Mendojmë për organizimin e një panairi vendor, diasporës do t’i bëjmë thirrje për investime në Shtime, hapjen e zonave urbane për të ndërtuar qytetin dhe zhvillimin e kompanive ndërtuese të Komunës sonë, kyçjen në autostradën “Ibrahim Rugova” sepse kjo do t’ia kthente Shtimes pozitën e saj strategjike, investimet në bujqësi dhe infrastrukturë do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të komunës tonë”.

Përfaqësuesi i VV-së në Shtime ka thënë se ata do të rregullojnë furnzimin me ujë të pijshëm në tërë territorin e qytetit duke shtuar se do të bëjnë ndërrimin e lokacionit të Entit Special të Shtimes.

“Infrastrukturën e kemi ndarë në tre kategori, duke filluar nga nevojat bazike përfundimi i furnizimit me ujë për të gjithë territorin, kyçje në kanalizim për të gjithë banorët, ndërtimin e kolektorit për gjatë Lumit të Shtimes, ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave në fshatin Vojnovc, ndërtim të rrugëve dhe trotuareve moderne, gjelbërim, pastrim, mirëmbajtje të hapësirave publike.

“Shtimja qytet urban” është kapitull në vete, shesh modern në qendër të Shtimes, unazën e vogël, unazën e madhe, trafik modern urban, parking publik mbi shkollën profesionale”.

“Po ashtu do të bëjmë projekt të mirëfilltë të memorialit të masakrës së Reçakut, rregullimin e varrezave dhe lapidarëve të dëshmorëve, rregullimin e parkut pishat dhe qendra rekreative përreth, ndërtimin e dy deri katër çerdheve nëpër fshatra, ndërtimin e një tregu për bujqit. Projekte madhore do të jenë autostrada Duhël, Shtime dhe Banullë dhe zhvendosja e entit special në një lokacion tjetër në mënyrë që aty të ndërtohen godinat kryesore të institucioneve të Komunës së Shtimes”.

Ai tutje ka deklaruar se do të bëjnë investime edhe në bujqësi “Do të krijojmë Drejtorinë e Bujqësisë, rritje të subvencioneve këshillim për bujqit dhe fermerët,.ndihmë profesionale për të fituar donacione dhe grante kombëtare dhe ndërkombëtare, konsulencë falas për ata, subvencionim në mbështetje të teknologjive të reja dhe modernizim të bujqësisë”, ka thënë Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat