Kandidatja për asamble nga radhët e LVV-Guxo në Lipjan synon zhvillim ekonomik

Kosova

Kandidatja për asamble nga radhët e LVV-Guxo në Lipjan synon zhvillim ekonomik

Nga: A.Zh Më: 11 tetor 2021 Në ora: 13:13
Kaltrinë Demiri, kandidate për asamble nga radhët e LVV-së dhe Listës Guxo, Lipjan.

Kaltrinë Demiri, kandidate për asamble nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje dhe Listës Guxo në Lipjan, ka prezantuar programin e saj.

Ajo ëshëtë zotuar se do të krijojnë vende pune, do të ndërtojnë fabrika përpunuese, të qumështit e ujit, domates e patates, misrit e grurit, përpunimit të drurit e xehes, do të rrisin eksportin dhe zvogëlojnë importin e mallrave.

Programi i saj:

Ne e duam dhe e synojmë ndryshimin. Duam ndryshim ekonomik-shoqëror, mirëqenie shoqërore për të gjithë, duam barazi shoqërore për të gjithë, duam një shoqëri ku respektohen vlerat kombëtare e shoqërore, shoqëri ku respektohet njeriu. Duam njeriun tonë të ri, me shpirt, vullnet e mendje demokratike. Njeriun universal e me mentalitet të ri. Por, për ta ndryshuar këtë, duhet më parë të ndryshojë gjendja ekonomike.

Sipas analizave të bëra deri me tani, nga ekspertë të fushave të ndryshme, Komuna e Lipjanit, ka pasuri natyrore e njerëzore të mëdha. Lipjani ka tokë ku kultivohet buka. Toka e tij, është një nga fushat më pjellore në trevat shqiptare. Nëntoka e Lipjanit është përplot me xehe të kushtueshme, që kërkohen sot nga tregu botëror. Afër Lipjanit, në verilindje të fshatit Konjuh, në thellësi diku 300-350 metra, gjenden rezervat e mëdha të ujit të pijshëm, me të cilin mund të furnizohet e tërë Kosova. Afër fshatit Magure gjenden rezerva të mëdha të xehes së kromit e magnezitit, dikur furnizues i lëndë së parë i bazës së metalurgjisë serbe. Nëntoka ku shtrihet lumi Sitnica, në thellësi diku nga 400-500 metra gjenden rezerva të mëdha të gazit e të naftës.

Në Lindje të fshatit Babush ka rezerva të mëdha të thëngjillit. Në lindje të fshatit Gadime gjendet sasi e madhe e xehes, si ajo e llojit të minierës së Ajvalisë e Trepҫës. Territori i komunës së Lipjanit ka shumë e shumë rezervate të resurseve tjera të mëdha; që nga uji i pijshëm e deri te ari e diamanti. Edhe pse e gjithë kjo pasuri në dispozicion, shumë qytetarë të Komunës së Lipjanit sot janë pa punë, madje në varfëri ekstreme, e shumë të migruar. Që nga viti 2002, e deri tani, vazhdon gjendja e status quo-së, vazhdon të na konservohet kjo gjendje varfërisë, pikërisht nga pushteti lokal. Pushteti lokal që gënjen, mashtron qytetarët e vet... 

Dhe sot, përsëri në vitin 2021, gjallëron apoteoza e misrit të Migjenit. Përsëri nëpër fushata zgjedhore propagandohet, punësimi, sigurimi i ujit të pijes, kanalizimi, rruga, me një fjalë, infrastruktura tërësisht jo funksionale... Ne sot në vend që të debatojmë për rritjen e bruto produktit shoqëror, të ardhurat për kokë banori, që duhen të jenë së paku në nivelin e mesatares të shteteve të Evropës, ne sot krahasohemi me shtetet më të varfëra të botës. Ne sot në vend që të kultivojmë vlera më të larta njerëzore, si popull me gjenezë nga pellazgët, dikur civilizues të njerëzimit, ne fyhemi, shahemi, etj. në mes veti, me një gjuhë, me një fjalor më banal të mundshëm. Krejt këtë e bëjnë pushtetarët e pushtetit lokal, që nuk heqin dorë nga të penguarit e zhvillimit shoqëror dhe pa fije turpi përsëri kërkojnë votën e qytetarëve, paraprakisht duke i angazhuar mercenarët e tyre që i paguajnë me taksa tona.

Ne do të ndryshojmë krejt e drejt, do të rrisim ekonominë prodhuese e përpunuese, do krijojmë vende pune, do të ndërtojmë fabrika, e do ta punojmë tokën e punueshme, do ndërtojmë fabrika përpunuese, të qumështit e ujit, domates e patates, misrit e grurit, përpunimit të drurit e xehes, do të rrisim eksportin dhe zvogëlojmë importin e mallrave.

Do të kujdesemi për vlera e kulturë njerëzore, do kujdesemi për fëmijën e plakun, për çerdhen e shkollën, për ambulancën e spitalin, për sigurinë e qytetarit, për pronën e tij, do kujdesemi për çdo gjë të jetës dhe për jetën e qytetarit. Nga pushteti lokal, nga kryetari i komunës, nga asambleja komunale dhe nga të gjitha forcat progresive të komunës e deri te qytetari i thjesht po i ndershëm, do të iniciojmë të ndërtojmë ferma, miniferma dhe fabrika për përpunimin e qumështit, krejt kjo në pjesët kodrinore të territorit të komunës, duke ruajtur gjithnjë tokën e bukës, siç janë: Gadime, Smallushë, Sllovi, Akllap, Brus, Teqe, Krojmir, Risinovc, Leletiq etj.,

Pastaj do ndërtojmë fabrika për përpunimin e domates, patates, fabrikë për përpunimin e elbit të birrës, përpunimin e misrit, lule diellit, mishit, etj. Do të bëjmë eksploatimin e xehes, duke hapur miniera të reja si në; Gadime, Babush, Rubovc, Lipjan, Shalë, Krojmirë, Magure etj, dhe asnjë fshat i komunës nuk do mbetet barrë e shoqërisë... Dhe në fund të mandatit katërvjeçar në Komunën e Lipjanit, nuk do të mbetet asnjë njeri pa punë. Kështu, duke hapur mundësitë për investime nga shtetet mike, do të rikthejmë një pjesë të madhe të qytetarëve tanë që kanë migruar më parë në ato shtete. Këto janë çështje parësore të pushtetit lokal. Pushteti lokal do jetë familja e qytetarit. Do jetë zot i tokës së vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat