Diskutohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Institutit të Bazelit për Qeverisje IBQ

Kosova

Diskutohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Institutit të Bazelit për Qeverisje IBQ

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 15:26
Pamje nga takimi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, kanë pritur në takim ekspertët e Institutit të Bazelit për Qeverisje (IBQ), Jonathan Spicer dhe Stephen Ratkliffe si dhe përfaqësuesit e Zyrës së UNDP-së në Kosovë, Mato Mayer dhe Albert Avdiu.  

Ky takim  është zhvilluar në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe IBQ-së, ku parashihet ofrimi i asistencës për institucionin e Prokurorit të Shtetit për t’i identifikuar dhe kthyer pasuritë e paligjshme, të cilat janë përfituar përmes veprave të korrupsionit dhe formave tjera të abuzimeve të pushtetit.

Kryeprokurori Lumezi dhe ekspertët Spicer e Ratkliffe janë dakorduar që ekspertët e Institutit të Bazelit t’i analizojnë edhe rastet e plotfuqishme që kanë të bëjnë me konfiskimin përfundimtar të pasurive, me qëllim të identifikimit të metave eventuale dhe adresimin e tyre.

Po ashtu, temë e diskutimeve të përbashkëta ishte edhe nevoja për trajnimin e prokurorëve, policëve hetuese dhe gjyqtarëve për zbatimin adekuat të ligjit mbi kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë.

Kryeprokurori i Shtetit dhe ekspertët e IBQ-së gjatë këtij takimi kanë diskutuar edhe për krijimin e një Njësiti të veçantë për kthimin e asteve të përfituara me vepra penale.

Mbështetur dhe ndihmuar nga Zyra e UNDP-së në Kosovë, në shtator të vitit 2020, Kryeprokurori i Shtetit ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Institutin e Bazelit për Qeverisje (IBQ), për mbështetje në gjurmimin dhe identifikimin e aseteve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme të shtetasve kosovarë, asete këto, të cilat gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke pasur për qëllim forcimin e sundimin e ligjit si dhe avancimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha formave tjera të krimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat