Ministri i dërgon letër Rektorit për avancimet në UP

Kosova

Ministri i dërgon letër Rektorit për avancimet në UP

Më: 8 mars 2017 Në ora: 17:30
Ministri i Arsimit Arsim Bajrami dhe rektori i UP-së, Marjan Dema

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami i ka dërguar sot letër Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, me të cilën i ka paraqitur shqetësimet që kanë ardhur nga mediat, organizatat joqeveritare e shoqëria civile në lidhje me publikimet në media për avancimet e stafit akademik të UP-së.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pranuar ankesa dhe shqetësime nga përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të shoqërisë civile dhe gazetarë të mediave të shkruara/elektronike në Kosovë, për mos zbatimin e parimeve dhe standardeve akademike dhe të transparencës në ushtrimin e përgjegjësive ligjore të organeve të Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me theks të veçante në zbatimin e kritereve akademike në procesin e zgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik”, thuhet në letrën e ministrit Bajrami drejtuar rektorit Dema.

Letra e ministrit erdhi më pak se një javë pasi emisioni “Jeta në Kosovë” publikoi një hulumtim rreth avancimeve në fakultetin e Mjekësisë në UP.

Në këtë emision hedhet në dritë votimi i senatorëve të Universitetit të Prishtinës për avancime të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë.

Kallxuesja Rozafë Koliqi ka treguar se si është refuzuar kandidatura e saj për asistente në një lëndë në këtë fakultet.

Kjo letër erdhi gjithashtu një ditë pasi një grup i organizatave të shoqërisë civile i shkruan ministrit për të shprehur shqetësimin e tyre lidhur me integritetin akademik të UP-së.

Letra e iniciuar nga ORCA dhe e nënshkruar nga 12 organizata tjera që kanë fokus arsimin, thotë se “raste të avancimeve të javëve të kaluara si dhe ato të vitit të kaluar, kanë ngritur dyshime te publiku për shpërdorim detyrash e poashtu shqetësimin për shkeljen e Statutit të UP-së dhe rregulloreve të tjera në fuqi”.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës konfirmoi për kallxo se ka nisur hetimet ndaj rektoratit të UP-së të drejtuar nga Marjan Dema pas raportimeve të emisionit “Jeta në Kosovë” rreth avancimeve në Fakultetin e Mjekësisë.

Edhe Agjensioni Kundër Korrupsionit ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të nisë hetime ndaj rektoratit nën dyshimet për korrupsion në këtë rast.

Ndërkohë, në letrën e tij, Ministri Bajrami ia kujton rektorit se Universiteti, i cili është institucioni autonom më i madh publik i arsimit të lartë në vend, e që merr fonde publike, duhet të sigurojë zbatimin e parimeve dhe standardeve më të larta akademike të transparencës e përgjegjësisë.

Përmes kësaj letre kërkohet që UP të marrë “të gjitha masat” për të siguruar zbatimin e kritereve dhe standardeve të cilësisë.

“Ju lutemi të merrni të gjitha masat adekuate, në përputhje me ligjin, për të siguruar zbatimin e kritereve dhe standardeve të cilësisë dhe meritave në procesin e zgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik të Universitetit” ka vazhduar letra e tij.

Për fund ministri i ka ofruar mbështetje dhe i ka dhënë kurajo organeve të UP-së që të aplikojnë standardet më të larta për sigurimin e cilësisë në zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat