Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi vizitoi komunën e Junikut

Kosova

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi vizitoi komunën e Junikut

Më: 9 mars 2017 Në ora: 15:34
Ramiz Kelmendi në Junik

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi Komunën e Junikut, ku u prit nga kryetari i Komunës, Agron Kuçi.

Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi është njoftuar nga kryetari Kuçi me punën që po bënë Komuna e Junikut në përmirësimin e mirëqenies së jetës së qytetarëve të Komunës, në veçanti me nevojat dhe kërkesat që kanë prodhuesit vendor.

"Do ta kemi një bujqësi më të mirë sesa që e kemi sot dhe besoj se do të arrijmë të kalojmë nga sistemi i dhënies se granteve në sistemin e subvencionimit të kamatave sepse po del se më mirë është që të subvencionojmë kamatën për ata fermerë që janë në gjendje të ballafaqohen me tregun. Çështja e granteve ka qenë në kohën kur ka qenë e domosdoshme mirëmbajtja sociale e njerëzve që nuk kanë pasur njohuri të mjaftueshme për treg", tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Më tej zëvendëskryeministri Kelmendi tha se po punohet në pakon fiskale 2 e cila është e mirëseardhur për prodhuesit vendor. 

Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi e ka njoftuar zëvendëskryeministrin me sfidat me të cilat përballet komuna në zhvillimin ekonomik. Ai tha se objektiv strategjik i komunës është zhvillimi i bujqësisë, turizmit dhe ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore. 

"Objektiv kryesor kemi zhvillimin e turizmit meqë 65 për qind e territorit të komunës së Junikut janë zonë pyjore. Ka resurse të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit qoftë atij dimëror, qoftë atij veror. Është një natyrë shumë e mirë ka ujë të bollshëm. Liqenet e Gjeraviqës, Kanioni i Erenikut paraqesin kapacitetet potenciale për zhvillim e turizmit", tha kryetari Kuçi.

Image

Më tej kryetari theksoi se ka vullnet dhe energji por gjithë kjo nuk mund të bëhet pa Qeverinë e Kosovës dhe pa njerëzit të cilët kanë kapacitet dhe zotësi në lëmin e përmendur.

Kryetari Kuçi përmendi edhe situatën e sigurisë për të cilën tha se është shumë e mirë, që është e rëndësishme për një komunë. 

Si çështje shqetësuese kryetari Kuçi përmendi emigrimin e te rinjve duke thënë se në raport me popullsinë që ka komuna numri i të rinjve që largohen nga komuna është i madh. 

Lidhur me këtë çështje zëvendëskryeministri Kelmendi njoftoi për vizitat e vazhdueshme që është duke ju bërë qyteteve, bizneseve dhe afaristëve të Republikës së Kosovës, me qëllim të bashkëbisedimit dhe motivimit për shtyrjen e proceseve të zhvillimit ekonomik dhe vetëpunësimit, në mënyrë që të mos kemi eksod të të rinjve jashtë vendit.

Zëvendëskryeministri Kelmendi ka zhvilluar një takim me qytetarët e Komunës së Junikut, me përfaqësues të bizneseve, prodhues të kësaj komune dhe me përfaqësues të organizatave joqeveritare.

“Qeveria e Kosovës me këtë buxhet prej 2 miliardë euro, ka paraparë që të përfundoj një pjesë të madhe të investimeve kapitale duke theksuar se është një buxhet stabil, që mund të krijojë vende të reja pune. Po ashtu, zëvendëskryeministri Kelmendi tha se “Jemi duke punuar në pakon fiskale 2 e cila në njëfarë mënyrë ka për qëllim për të çuar përpara sektorin prodhues. Pakoja fiskale 2 shpresoj që shumë shpejt do të shkojë në Kuvend, e cila do të krijojë favore dhe mbështetje të mirë financiare për prodhuesit, rrit kualitetin, pagesën e punëtorëve, rendimentin, sasinë dhe konkurrencën në raport me shtetet e regjionit dhe na bën më të fuqishëm për tregun e përbashkët”, u shpreh zëvendëskryeministri Kelmendi.

Image

Një prej kërkesave dhe shqetësimeve të bizneseve ishte zvogëlimi i TVSH për sektorin e bujqësisë. 
Zëvendëskryeministri Kelmendi premtoi se bashkë me ministrin e Financave do të diskutoj mundësinë jo vetëm për zvogëlimin e TVSH por heqjen e TVSH për prodhuesit vendor. 

Gjatë vizitës në Junik zëvendëskryeministri Kelmendi i shoqëruar nga kryetari Kuçi vizitoi kompleksin e bizneseve të udhëhequr nga Agron Krasniqi, drejtor i kompanisë Luna Sh.P.K, plantacionin e mollëve dhe boronicave, fabrikën e gypave ‘German Plast’, dhe fabrikën e asfaltit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat