Hoxha: Projektligjet e miratuara avancojnë qasjen e qytetarëve në drejtësi

Kosova

Hoxha: Projektligjet e miratuara avancojnë qasjen e qytetarëve në drejtësi

Më: 10 mars 2017 Në ora: 13:10
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha

Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, janë shqyrtuar dhe pas diskutimeve të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të premten janë miratuar në parim, në lexim të parë, katër projektligje.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgiminë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, Projektligjin për Noterinë dhe Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Në ekspozenë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgiminë, Ministrja Hoxha, theksoi se me këto ndryshime, forcohet roli i gruas në trashëgimi.

“Projektligji do t’i eliminojë pengesat, të cilat janë hasur gjatë zbatimit të ligjit ekzistues dhe harmonizimit të dispozitave të caktuara të këtij ligji me ligjin për Procedurën jo-kontestimore dhe ligjit për Noterinë”, theksoi ministrja Hoxha dhe vuri në dukje se me këtë projektligj, do të forcohet roli i gruas në trashëgimi.

Lëndët e natyrës trashëgimore, do të trajtohen dhe zgjidhen në afat më të shkurtër, theksoi Ministrja, ngase në kuadër të këtij projektligji, janë rishikuar dispozitat që u referohen afateve, gjë që do të ndikoj në ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të organeve kompetente në trajtimit dhe zgjidhjes së këtyre lëndëve trashëgimore.

Hoxha, me rastin e shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore theksoi se përmes këtij projektligji synohet të bëhen harmonizimi i dispozitave të caktuara të këtij ligji me ligjet të tjera të kësaj fushe para së gjithash me Ligjin për Trashëgimi dhe me Ligjin për Noterinë.

Ndërkaq, për Projektligjin për Noterinë, ministrja Hoxha theksoi se hartimi dhe finalizimi i këtij projektligji është bërë në konsultim me akterët vendorë dhe me partnerët ndërkombëtarë veçmas me Odën e Noterëve, përfaqësues nga USAID, projekti i Bashkimit Evropian për profesionet e lira si dhe institucionet tjera. 

Ndërsa Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit, është fokusuar në parandalim dhe luftimin e kësaj dukurie, theksoi Ministrja Hoxha, gjatë prezantimit të këtij projektligji, në lexim të parë.

Ministrja Hoxha tha se hartimi dhe finalizimi i këtij Projektligji është rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Drejtësisë në funksion të avancimit të infrastrukturës ligjore me theks të veçantë legjislacionit të fushës së luftimit dhe të parandalimit të korrupsionit dhe se miratimi i këtij projektligji është pjesë e agjendës evropiane të reformave, ERA.

Ndryshe, ministrja tha se ky është një ligj që do të ndikojë në avancimin e mëtejmë të parandalimit dhe luftimit të dukurive të tilla në vendin tonë, njofton Zyra e informacionit pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat