Edhe Istogu shënon Ditën Ndërkombëtare të Ambientit

Kosova

Edhe Istogu shënon Ditën Ndërkombëtare të Ambientit

Më: 24 maj 2017 Në ora: 16:40
Pamje nga Istogu

Në vazhdën e aktiviteteve të shumta në të gjitha komunat e Kosovës të organizuara nga “Let’s do it Kosovo”, edhe në Istog të mërkurën u shënua me organizime të ndryshme Dita Ndërkombëtare e Ambientit, me ç’rast u tha se iniciativa të tilla ngritin vetëdijen e qytetarëve për një mjedis më të pastër.

Nënkryetari i Komunës së Istogut, Lulzim Blakaj tha se aktivitetet e tilla janë mbështetur financiarisht nga komuna.

Blakaj: Komuna e Istogut mbështet aksionin e Let’s do it Kosovo

“Është organizuar një aksion për pastrimin “Ta pastrojmë Kosovën”. Në kuadër të këtij aksioni edhe Komuna e Istogut e mbështet këtë aksion me një shumë të konsideruar të mjeteve monetare e po ashtu janë angazhuar edhe nxënësit e shkollës fillore që ta përkrahin këtë aksion”, tha Blakaj.

Ai ka bërë të ditur se kanë bashkëpunim të ngushtë me FSK-në dhe Kryqin e Kuq të Istogut. Ndërkaq aktivitetet e tilla, Blakaj tha se ndikojnë pozitivisht në ngritjen e vetëdijesimit për qytetarët e në veçanti te të rinjtë e qytetit.

Blakaj: Aktivitetet e tilla ndikojnë në sensibilizimin e qytetarëve

“Këto po kanë efekte shumë të mëdha. Efekti po shihet edhe në sensibilizimin e nxënësve që është më kryesore, mendoj unë dhe sensibilizimi i qytetarëve që të mbajmë një ambient të pastër dhe ta pastrojmë ambientin në të cilin jemi. Komuna i ka përkrahur këto aksione dhe do t’i përkrahë në vazhdimësi të gjitha aksionet që kanë të bëjnë me pastrimin e qytetit”, ka thënë Blakaj.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bedri Hasanaj, tha se Istogu si një ndër qytetet më të pastra të Kosovës, organizon aktivitete të ndryshme për mbledhjen e mbeturinave edhe muajve të tjerë të vitit dhe jo vetëm në ditë të caktuara.

Ai shtoi se në Istog vëmendje e madhe po i kushtohet edhe pastrimit të deponive të mëdha të mbeturinave.

Hasanaj: Kemi bërë edhe pastrimin e deponive të mëdha dhe të rrugëve

“Ne si komunë në vazhdimësi në mënyrë tradicionale një aktivitet të ngjashëm, por në mënyrë më masive e bëjmë gjatë muajit prill në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, Kryqin e Kuq, me kompaninë “Ambienti” dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Këtë vit kemi bërë edhe pastrimin e deponive të mëdha dhe të rrugëve”, tha Hasanaj.

Për mirëmbajtjen e deponive të mbeturinave, për KosovaPress foli edhe Sadik Bujupi, drejtor i njësisë operative "Ambienti" në Kosovë.

Ai tha se kujdesen që çdo ditë të bëhet pastrimi dhe heqja e mbeturinave nga deponitë, kështu që sipas tij, është zvogëluar dukshëm numri i deponive të mbeturinave në qytetin e Istogut.

Bujupi: Ne këto punë i bëjmë çdo ditë

 “Një punë që është bërë sot ne e bëjmë çdo ditë pa marrë  parasysh a është ditë pune apo feste me punëtorët e njësisë operative “Ambienti” në Istog. Unë sot me punëtorët e mi i jam bashkëngjitur aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” dhe do ta ndryshojmë këtë pasi që është më mirë të themi “Ta mbrojmë Kosovën” nga ndotësit e ambientit”, ka thënë Bujupi.

Edhe nxënësit e shkollës fillore “Bajram Curri”, pjesëtarë të FSK-së dhe Kryqit të Kuq të Istogut ishin pjesë e aktivitetit për pastrimin e qytetit. Murat Beqiraj, nxënës i klasës së 7-të, tha se ambienti i pastër është dobi për shëndetin e secilit banor.

Beqiraj: Të organizohen të gjithë për mbledhjen e mbeturinave

 “Në Ditën Ndërkombëtare të Pastrimit jemi organizuar me shkollën tonë që të mbledhim mbeturina dhe shpresoj që çdo kush të organizohet që sa më shpesh të mbledhim mbeturina për një jetë më të shëndetshme”, tha Beqiraj.

Për nxënësen Idea, iniciativat e tilla ngritin vetëdijen e qytetarëve për një mjedis më të pastër.

Arifaj: Aktiviteti i sotëm do të jetë mësim për njerëzit

 “Unë mendoj se kjo iniciativë është e duhur për qytetin e Istogut pasi që Istogu ka shumë bukuri natyrore dhe ne duhet që të kujdesemi për të. Unë mendoj se kjo iniciativë do t’iu jap më shumë vetëdijesim njerëzve që mos t’i hedhin mbeturinat në vende të ndryshme dhe ne si shkollë jemi organizuar që të mbledhim mbeturinat në qendër të qytetit dhe vende të ndryshme”, tha Arifaj.

Ndryshe, aktivitetet e ditës së sotme në Ditën Ndërkombëtare të Ambientit u zhvilluan nën moton “Mos t’shoh t’u gjujt ma”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat