Klinika e Urologjisë që një vit pa ultrazë që zbulon kancerin e prostatës

Kosova

Klinika e Urologjisë që një vit pa ultrazë që zbulon kancerin e prostatës

Më: 26 maj 2017 Në ora: 15:55
QKUK në Prishtinë

Kosova ka numër të madh të pacientëve me kancer të veshkave por edhe të prostatës. Kështu ka thënë për rtklive.com, Xhevdet Quni, Kryetar i Shoqatës së Urologëve të Kosovës, në ditën e parë të Kongresit Ndërkombëtar të Urologjisë që po mbahet në Prishtinë.

Kryetari i shoqatës së urologëve, Xhevdet Quni, tha se tumori i veshkave për shkak të incidencës së lartë si sëmundje, është edhe tema bosht e kongresit të 12-të ndërkombëtar të urologëve.

Quni, ka thënë se janë në studim e sipër të një sërë faktorësh të kësaj incidence si dhe po shqyrtohen rastet. Në këtë kongres, sipas tij, po shkëmbehen përvojat në lidhje me këtë sëmundje.

“Faktorët janë  të ambientit por edhe ata nutritiv”, ka thënë Quni.

Ai është shprehur se poenta dhe objektivi është zbulimi i hershëm dhe mjekimi sa më i shpejt i sëmundjes. “Fatkeqësisht tek ne pacientët vijnë në stade të avancuara të sëmundjes ku mjekimi është më i shtrenjtë”, ka thënë Quni. Sipas tij, edhe mjekimi në këtë fazë është polimjekësor.

“Sa më herët që zihet sëmundja edhe mjekimi është më i sigurt”, ka thënë ai.

Duke folur për vonesat e zbulimit të sëmundjes, Quni ka thënë se kjo është rezultat i mungesës së pajisjeve moderne për detektim të sëmundjes.

“Fatkeqësisht në Klinikën e Urologjisë në QKUK nuk kemi pajisje bashkëkohore për zbulimin e sëmundjes. Paramendoni ka një vit që ne nuk kemi ultrazë me të cilin kemi detektuar kancerin e prostatës dhe pajisja pret procedurat tenderuese për servisim”, ka thënë doktori Quni.

Profesori Flamur Tartari është kryetar i Shoqatës së Urologëve të Shqipërisë. Ai ka thënë për rtk se në këtë kongres temat janë përzgjedhur dhe ato janë nga përvoja.

“Janë shkëmbime përvojash dhe kjo është gjëja kryesore”, ka thënë Tartari.

Ai ka thënë se kanceri i veshkave është shtuar shumë në Evropën Perëndimore. “Ne duhet bërë një gjë kryesore, si Shqipëri por edhe në Kosovë, duhet më shumë sensibilizim i publikut për këto sëmundje”, ka thënë profesori Tartari. Ai tha se çelësi i trajtimit të sëmundjes ndërlidhet shumë edhe me kohën e trajtimit. “Pra është e rëndësishme që pacientët të mos vijnë me vonesë”, ka shtuar Tartari.

Profesori Tartari ka komentuar edhe mungesën e pajisjeve në spitalet e Kosovës. “Kjo është mungesë e interesimit të qeverisë që nuk interesohet për preokupimet e shëndetit të popullit”, ka thënë ai.

Sipas tij, fondet në Shqipëri duhet të rriten. “Kryesorja për një shtet janë shëndetësia dhe arsimi që duhet bërë në Shqipëri”, tha ai.

Profesori ka thënë se shteti duhet të jetë përgjegjës për zhvillimin e shëndetësisë. “Në gjithë botën spitalet publike janë më të forta dhe më të përgatitura kurse tek ne po ndodhë e kundërta”, ka thënë ai.

Profesori Tartari ka thënë se në Kosovë dhe Shqipëri spitalet private kanë gjitha aparaturat dhe të njejtat mungojnë në spitalet publike.

“Këtu ose duhet zhvilluar sistemin publik ose të organizohet sistemi i sigurimit të popullit në spitalet private që të paguaj populli një pjesë të shpenzimeve dhe pjesën tjetër ta paguaj shteti”, ka thënë doktori Tartari.

Urologu Avni Fetahu, ndërkaq ka folur për pasojat e infeksioneve kronike urinare. Doktor Fetahu është shprehur se infeksionet shkaktojnë shumë shpesh gurët, jo vetëm në traktin e sipërm urinar por edhe në shtratin e prostatës.

“Kjo është një patologji e shpeshtë dhe qëllimi është që infeksionet të trajtohen sa më herët, përndryshe pasojat janë shumë të mëdha dhe mund të vie edhe deri tek sëmundjet malinje”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat