Thaçi takohet me mësimdhënësit e Skenderajt, bën thirrje për dalje masive në zgjedhje

Kosova

Thaçi takohet me mësimdhënësit e Skenderajt, bën thirrje për dalje masive në zgjedhje

Më: 26 maj 2017 Në ora: 17:59
Thaçi me mësimdhënësit e Skenderajt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një vizite që u bëri disa shkollave në Komunën e Skenderajt, ku u takua me mësimdhënësit e këtyre shkollave, tha se investimi në edukim, është investim në zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve dhe është investim në Kosovën evropiane.

Thaçi: Prekazi është fshati i së ardhmes

“Pavarësisht nga përgjegjësitë institucionale që kam pasur, kam dhe sot dhe që do të kem nesër, kam vlerësuar dhe vlerësoj se investimi në edukim, është investim drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik. Është investim në krijimin e vendeve të reja të punës. Është investim në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve. Është investim drejtpërdrejt në familje. Është investim në Kosovën e re, në Kosovën  evropiane, në Kosovën moderne në Kosovën euroatlantike. Jemi të vetëdijshëm që është investuar maksimalisht, por duhet të bëjmë dhe më tepër. Prandaj vazhdojmë t’i thellojmë reformat në arsim, duke qenë të vëmendshëm dhe në krijimin e infrastrukturës  moderne, siç është kjo shkollë këtu në Prekaz, që është prej më moderneve në Kosovë. Kjo më bënë dhe mua shumë krenar dhe si bashkëvendës i juaji dhe si president. Sepse  Ka kaluar koha kur nuk ka pasur interesim si institucione për çdo hapësirë të territorit të Kosovës. Kemi investuar dhe do të vazhdojmë të investojmë si bartës të institucioneve tona, me të gjitha energjitë që të krijojmë kushte më të mira për jetë, për çdo qytetar kudo që jeton. Prandaj Prekazi nuk është vetëm fshati heroik i komandantit Legjendar Adem Jashari. Prekazi është dhe fshat i zhvillimit, progresit dhe bujarisë. Është fshati i së ardhmes”, tha ai.

Presidenti Thaçi po ashtu para mësimdhënësve foli dhe për zgjedhjet të cilat do të mbahen me 11 qershor, duke bërë kështu thirrje për dalje masive në këto zgjedhje.

Thaçi: Ju ftoj për pjesëmarrje masive në zgjedhje

“Jam i bindur se edhe këto zgjedhje do të jenë një bazament i fuqishëm, një test i rëndësishëm për demokracinë dhe shtetin tonë. Prandaj iu ftoj juve të gjithëve dhe përmes jush të gjithë qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje masive në zgjedhje. Sepse organizimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, transparente, do ta konsolidojnë dhe më tepër shtetin tonë. Do ta forcojnë dhe më tepër demokracinë. Do ta dërgojnë një mesazh shumë të fuqishëm të Kosovës para botës. Të gjithë së bashku bartësit e institucioneve, shoqëria civile, mediat ju qytetarë të nderuar do të ketë dhe vëzhgues ndërkombëtarë. Kështu që zgjedhjet e standardit evropian, do të jenë mesazhi më i mirë për botën,  se Kosova është shtet i suksesit, shtet i progresit. Prandaj vlerësoj se do të ishte me rëndësi dhe ta kuptoni drejt se vetëm pjesëmarrja dhe participimi e forcon shtetin tonë, demokracinë tonë, i jep hijeshi dhe këtij testi të ri të demokracisë”, tha ai.

Në takim me mësimdhënësit, presidenti Thaçi  foli edhe për themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe liberalizimin e vizave, për të cilat tha se duhet të ndodhin sa më shpejt.

Thaçi: Kosova gjendet përballë sfidave jo të lehta

“Kosova gjendet edhe përballë sfidave jo të lehta. Ne kemi një qëllim, një objektiv dhe një vizion, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE. Prandaj duhet ta themelojmë ushtrinë e Kosovës sa më shpejt që është e mundur. Të fillojmë procesin e partneritetit për paqe dhe të anëtarësohemi në NATO. Duhet sa më parë të ndodhë liberalizimi i vizave. I kemi përmbyllur apo realizuar 94 kritere prej 95 sa duhet. Edhe çështja e demarkacionit do të tejkalohet suksesshëm. Kështu që qytetarët e vendit do të kenë mundësi të lëvizin në zonën Shengen. Ne nuk kemi plan B sa i përket Kosovës. E kemi vetëm një plan. Ai plan është vullneti i qytetarëve të Kosovës, anëtarësimi në BE. Ruajtja dhe kultivimi i raporteve tona të përjetshme speciale me SHBA- të”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat