Pacolli ua prezanton të rinjve kandidatët për deputetë

Kosova

Pacolli ua prezanton të rinjve kandidatët për deputetë

Më: 26 maj 2017 Në ora: 20:51
Behgjet Pacolli

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli gjatë një takimi që zhvilloi të premten me të rinjtë e AKR-së, prezantoi kandidatët e kësaj partie për deputetë për zgjedhjet e 11 qershorit, duke thënë se AKR është e përfaqësuar me njerëz që kanë dinjitet.

Pacolli tha se ata që votojnë për AKR-në, njëherësh do të votojnë për kandidatët e saj për deputetë të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës.

Pacolli: Jemi përfaqësuar me njerëz të dinjitetshëm

“Qytetarët do të votojnë njëherë për koalicionin. Ne jemi në koalicion me LDK-në dhe veçmas do të votojnë për kandidatët. Ata që votojnë për AKR-në do të votojnë për kandidatët e AKR-së dhe ne kemi 22  kandidatë. Përfaqësimi i rinisë është aty. Përfaqësimi i gjinisë femërore është aty. Jemi të përfaqësuar me njerëz të dinjitetshëm. Me njerëz të përgjegjës, me njerëz që e meritojnë besimin e qytetarëve”, tha ai.

E meqenëse po fillon Muaji i Ramazanit, Pacolli së pari ia dha fjalën anëtares më të re të kësaj partie dhe kandidate për Parlamentin e Kosovës, Refiqe Ternava, e cila tha se rinia është pasuria më e madhe e këtij vendi dhe dëshira e tyre për të ndryshuar, është e patjetërsueshme.

Ternava: Ne jemi pasuria më e madhe e këtij vendi

“Jemi të vetëdijshëm që ne jemi pasuria më e madhe e këtij vendi dhe vota jonë ka vlerë. Dëshira për të ndryshuar është e patjetërsueshme. Me aq kohë që kam votuar nuk më ka rastisur ndonjëherë, që zgjedhjet të jenë në kohë të Ramazanit. Kjo është ndër tjerash dhe karakteristik e veçantë e këtyre zgjedhjeve”, tha ajo.

Ndërsa Agim Bahtiri para të rinjve tha se ashtu siç e kanë ndryshuar Mitrovicën, do ta ndryshojnë dhe Kosovën.

Bahtiri: Si Mitrovicën, do ta ndryshojmë dhe Kosovën

“Ne po mendojmë, sikurse Mitrovicën ashtu do të bëjmë ndryshim pozitiv në Republikën e Kosovës. T’i dënojmë njëherë e përgjithmonë, ata që na kanë bërë të pamundur që ne të dalim jashtë vendit, të lëvizim të lirë. Të mos gjejmë punë, të kryejmë shkolla dhe në fund të mbesim në shtëpi. Kjo nuk i duhet Kosovës. Nuk i duhet rinisë së Kosovës. Ne jemi ata që i hapim dyert. Sot e kemi një gjigant të Ballkanit, një Trump të dytë dhe të jetë në mesin e kosovarëve, në këtë shtet të varfër. Në këtë shtet të vogël. Në këtë parti  të lëvdueshme dhe të mos jetë në krye të furtunës, për të ndryshuar diçka, është  tmerr. Dhe unë po iu them që ky tmerr të mos ndodh më në Republikën e Kosovës. Dhe kjo egërsirë që na pruni deri këtu të largohet nga skena dhe të vjen një diell i mirë siç është z. Behxhet Pacolli”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat