Banorët e lagjes Mirena ende pa marrëveshje me KEK-un

Kosova

Banorët e lagjes Mirena ende pa marrëveshje me KEK-un

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 19:54
Hade

Banorët e lagjes Mirena në fshatin Hade nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje edhe pas takimit të së hënës me menaxhmentin e KEK-ut, Komunën e Obiliqit, MMPH-në dhe prokurorin e shtetit, me ç’rast këta të fundit kanë kërkuar nga banorët të lejojnë operimin e eskavatorëve aty.

Banori i kësaj lagjeje, Ujup Mirena, ka thënë se të lartpërmendurit po kërkojnë që vet banorët të lejojnë punën e eskavatorëve në mënyrë që KEK-u dhe organet e vendit të mos jenë përgjegjëse për rrezikimin e jetës së tyre. Sipas tij, në këtë mënyrë po tentohet të ikin nga përgjegjësia.

Mirena sikur edhe banorët e tjerë të lagjes kërkon që të ndërpritet puna e eskavatorëvë, pasi që e ndjejnë rrezikun shumë afër.

Mirena: Nuk e kemi dhënë pëlqimin për të vazhduar punën eskavatorët

"Banorët e lagjes Mirena nuk e dhanë pëlqimin për të operuar këta eskavatorë më tutje derisa të bëhet marrëveshja përfundimtare për kompensimin e pasurisë, kur dihet se këta eskavatorë kanë kaluar kufirin e sigurisë afërsisht 130m dhe kanë rrezikuar jetën e banorëve. Ndërsa ligji për miniera dhe minerale këtë distancë sigurie e parasheh 250m", tha ai.

Përndryshe, banorët e fshatrave Hade dhe Shipitullë kanë protestuar të premten e shkuar për të ndalur rrezikun që u kanoset.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat