ABGJ: Gjatë fushatës të shmanget gjuha seksiste

Kosova

ABGJ: Gjatë fushatës të shmanget gjuha seksiste

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 14:38
Ilustrim

Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) ka kërkuar nga partitë politike që të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore dhe t’i shmangen gjuhës seksiste në fushatën e zgjedhjeve të 22 tetorit, ndërsa shpreh shqetësimin se nga 91 subjekte politike të regjistruara për kryetar komunash, vetëm katër kandidate janë gra.

Në një komunikatë për media, ABGJ konsideron se edhe në zgjedhjet komunale të 22 tetorit, Kosova do të dështojë të shënojë përparimin e dëshiruar për avancimin e grave në vendim-marrje dhe në përmbushjen e obligimit ligjor për barazi gjinore në Kosovë.

Agjencia për Barazi Gjinore iu përkujton subjekteve politike që gjatë fushatës elektorale në gjuhën e përdorur në takime me elektoratin, programet dhe premtimet elektorale, materialet promovuese të subjekteve politike të shmangin gjuhën seksiste, të dhunshme dhe stereo-tipet gjinore. 

ABGJ kërkon nga partitë politike të shmangin konfrontimet e dhunshme dhe dhunën gjatë fushatës elektorale, dhe të mos ketë përsëritje të ngjarjeve të shëmtuara të zgjedhjeve të qershorit.

Agjencia për Barazi Gjinore iu bën thirrje të gjithë subjekteve politike të regjistruara të respektojnë detyrimin ligjor për 50 për qind përfaqësim të kandidateve gra në listën e kandidatëve për kuvendet komunale.

“Ju bëjmë thirrje subjekteve politike që në listat e kandidatëve për kuvendet komunale të sigurojnë përfaqësimin etnik, në mënyrë të veçantë të grave dhe vajzave nga komunitetet etnike rom, ashkali dhe egjiptas”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat