Shërbime të mangëta shëndetësore për personat me nevoja të veçanta

Kosova

Shërbime të mangëta shëndetësore për personat me nevoja të veçanta

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 16:07
Ilustrim

Shërbimet shëndetësore për personat me nevoja të veçanta në Kosovë vazhdojnë të jenë të mangëta. Shumë trajtime që do duhej t’i merrnin personat me nevoja të veçanta, sidomos ata që janë të varur nga karrocat, nuk mund t’u ofrohen atyre brenda institucioneve publike shëndetësore.

Këtë e thotë Mejreme Llumnica, asistente e mirëqenies sociale në organizatën Hendikos.

Sipas saj, ka raste kur në mungesë shërbimesh shëndetësore adekuate, shumë raste kanë përfunduar me fatalitet.

“Fatkeqësisht shërbimet shëndetësore nuk janë të mira, ndonëse janë të domosdoshme. Shumë nga to edhe mungojnë. Një shërbim që ka nevojë më së shumti është trajtimi për dekubit. Ky shërbim mungon, është shërbim për varrët dekubotare. Kjo është një sëmundje e shpeshtë e personave të varur nga karroca. Tek ne trajtohet vetëm në fazën e fundit, atëherë kur duhet intervenimi kirurgjikal. Më pas prapë mungon rehabilitimi e që është i domosdoshëm”, thekson Llumnica.

“Ka pasur raste që kanë përfunduar me fatalitet, si pasojë e diagnozës , nga varrët dekubitare, dhe kjo ndodhë për shkak të pozitës që e kanë njerëzit që janë të varur nga karroca”, shton ajo.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj tha për Radion Evropa e Lirë se duhet të bëhet më shumë për këtë kategori të shoqërisë, ndonëse përmend disa lëvizje pozitive që janë bërë sa u përket shërbimeve shëndetësore për personat me nevoja të veçanta.

“Është miratuar Ligji për personat e varur nga karroca dhe në këtë kuadër kemi formuar komisione konsoliare në nivel të spitaleve, aty ku janë specializimet e që ka nevojë. Së paku një herë në javë, këtyre personave të ju dalin në ndihmë e që ju takon me ligj”, thotë Gjocaj.

“Për shërbimet që nuk ekzistojnë dhe që duhet dalin jashtë vendit, është e rregulluar me udhëzime administrative. Në të kaluarën ka pasur edhe qendra rehabilituese, por tash mungojnë pasi janë privatizuar. Është folur shumë që lista esenciale të ndryshojë për këtë kategori, pasi kanë nevojë për material hargjues të vazhdueshëm”, thekson ai.

Në anën tjetër, zonja Llumnica tha se përpos shërbimeve mungon edhe stafi i trajnuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për personat me nevoja të veçanta.

“Personat në karroca kanë probleme edhe me infeksione, për shkak të pozitës së detyrueshme dhe trajtimet janë shumë të mangëta. Në gjithë Komunën e Prishtinës, por mungon edhe stafi i trajnuar”, thotë Llumnica.

Aktualisht, në Kosovë nuk ka statistika të sakta, por sipas informatave që posedojnë organizatat që merren me të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë, thuhet se janë rreth 150 mijë persona me nevoja të veçanta, ku prej tyre, rreth gjysma, vlerësohet të jenë fëmijë./Rel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat