Rrezikojnë jetërat e tyre, që tua shpëtojnë të tjerëve

Kosova

Rrezikojnë jetërat e tyre, që tua shpëtojnë të tjerëve

Nga: Adem Lushaj Më: 6 janar 2018 Në ora: 23:16
Zjarrfikes

Puna të cilën e bëjmë si ekip, është me e padëshiruara, ngase rastet të cilat na paraqiten, janë raste të dhimbshme si: djegiet apo aksidentet në komunikacion. Zjarrfikësit janë çdo here në rrezik të jetës se tyre, për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Aq sa është e vështire, po aq mund të jetë edhe humane, pasi që qytetaret na shohin si shpëtimtar.

Kështu deklarohet për Botapress, komandanti i Njësitit të zjarrfikësve në Deçan, Besim Selmanaj, i cili në detaje ka shpjeguar për punën e stafit të tij (zjarrfikësve), sikurse edhe për rastet e shumta të ndërhyrjeve për shpëtim jetësh dhe pasurish. Selmanaj, ka prezantuar shifra për rastet e ndërhyrjeve të këtij njësiti, qoftë për shuarje te zjarreve apo të shpëtimit të jetëve të personave. “Gjatë vitit 2017, kishim mbi 200 raste të intervenimeve në shuarje të zjarreve nëpër objekte të banimit, zjarre në vetura, trafo elektrike apo fushore malore, sikurse që kishim intervenime në aksidente të ndryshme, e që për fat të keq, kishte raste që përpjekjet tona, ishin të kota”, ka treguar Selmanaj, duke mos kursyer lëvdata për zyrtarët e tij, të cilët fusin veten në rrezik, për të shpëtuar të tjerët.

“Është ndjenjë e veçantë kur ekipet tona arrijnë të shpëtojnë prona apo edhe jetë njerëzish, por edhe dëshpërim i pa përshkruar, kur nuk ia dalim”, na thotë komandanti i Njësitit të zjarrfikësve të Deçanit, duke shpreh keqardhje ndaj gjitha familjeve që nuk kanë arritur tu dalin në ndihmë me kohë, jo për fajin e tyre. Ai, ka thënë se mungon komunikimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve me zyrtarët tanë, pasi që Ata (qytetarët), fillimisht lajmërojnë policinë në 192, e pastaj,

Ne, njoftohemi nga policia e Kosovës, duke kaluar disa minuta deri tek njoftimi ynë. “Kemi raste kur njoftimin e marrim pas dhjetëra minutash duke bëre që vonesa të tilla bëjnë që intervenimi ynë të jetë i padobishëm”, ka thënë Selmanaj, duke marrë shembull rastin e aksidentit të ndodhur në Prilep ku një qytetar kishte humbur jetën ndërsa njoftimi i njësitit të zjarrfikëseve ishte pas 40 minutash. Ky njësit sipas Selmanajt, kishte raste kur është falënderuar jashtëzakonisht shumë nga qytetaret për intervenimet e shpejta, sidomos në shuarje të zjarreve nëpër shtëpitë e banimit.

Por, kishte raste të shumta, kur jeta e zjarrfikësve ishte vënë në rrezik, por assesi të largohen nga angazhimi për kryeje të intervenimit. Mirëpo, ky njësit ka pengesa të ndryshme në kryerjen e intervenimeve të tyre në raste qe kërkohen nga ta siç është vjetërsimi i pajisjeve, mungesa e gardërobës kundër zjarrit, pagat e ulëta sikurse edhe problemi që vazhdon për tri vite me objektin i cili nuk shfrytëzohet për arsye tashme të njohura, e që ndërlidhen më moskryerje të duhur të punimeve. “Jemi në kushte të pa përshtatshme duke vepruar, që pos mungesës së pajisjes dhe pagave jo të nivelit të kënaqshëm, zyrtarët tanë nuk kanë hapësira të duhura për punë”, ka nënvizuar udhëheqësi i këtij njësiti të zjarrfikësve, duke sqaruar edhe rastin e objektit të ndërtuar, i cili fillimisht duhet vlerësuar për punimet e kryera nga kompania punëkryese.

Për kushte të pa përshtatshme të punës, pajisje të vjetruar, si dhe paga të vogla, janë deklaruar edhe zyrtarët e këtij Njësiti, të cilët edhe gjatë kohës së dimrit, edhe pse në temperatura të ulëta, Ata, qëndrojnë në gatishmëri në zyrën e tyre që është në pallatin e kulturës “Jusuf Gërvalla”, duke mos pas as nxehje të mjaftueshme. “Kemi një nxehje me tela, e çka mund të bën një e tillë, në kohën kur temperaturat janë ekstreme nën zero”, ankohen ata, të cilët harrojnë veten, duke pas dertin e ngrirjes së automjeteve të tyre, që janë të parkuara në oborrin e objektit të pallatit në të cilin qëndrojnë edhe vet. Ata, mezi presin të shkojnë në objektin e ndërtuar, nëse vlerësojnë ekspertët që objekti i ndërtuar, i plotëson kushtet tekniko-ndërtimore.    

Por, komandanti i Njësitit të zjarrfikësve, Besim Selmanaj, sikurse zyrtarët e këtij Njësiti, thonë se do jenë në gatishmëri për çdo intervenim që iu kërkohet, pa marrë parasysh kushtet me të cilat disponojnë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat