Paraburgim për 7 të dyshuarit për përfshirje në përleshjen e Drenasit

Kosova

Paraburgim për 7 të dyshuarit për përfshirje në përleshjen e Drenasit

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 18:51
Pamje nga vendi ku ndodhi përleshja në Drenas

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për 7 të dyshuarit si të përfshirë në incidentin e 17 shkurtit në Drenas.

Lajmin për Kallxo e konfirmoi Nasuf Hasani avokat i Fadil Topallit.

Hasani e quajti “absurd” vendimin mbi paraburgimin, duke thënë se i mbrojturi i tij pothuajse është në gjendje paralize dhe se ai ka qenë i sulmuar.

Hasani tha se këtë vendim sigurisht se do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit dhe shpreson se Apeli do të vendosë ndryshe nga Themelorja.

7 persona, njëri nga ta i mitur, kanë dalë sot para gjykatësit të procedurës paraprake, si të dyshuar për përleshjen e së shtunës në Drenas në të cilën mbetën të plagosur gjashtë veta.

Kallxo raportoi sot se Prokuroria ka kërkuar që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit.

Incidenti për të cilin po akuzohen shtatë personat ndodhi më 17 shkurt në qendër të Drenasit, rreth orës 16:30, ditën kur Kosova po shënonte 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

I pandehuri Skender Gjeli po përballet me dyshimet për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, derisa 6 të tjerët, Halit Topalli, Shaip Topalli, Fadil Topalli, Arbenit Topalli dhe i mituri L.T., me veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë, Gjeli po dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Në kërkesën për masën e paraburgimit të cilën e ka siguruar Kallxo, sipas arsyetimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 17 shkurt, rreth orës 16:22, në rrugën “Xhevat Demaku”, në Drenas, saktësisht në udhëkryqin që lidhet me rrugët tjera, derisa të pandehurit Halit Topalli, Shaip Topalli, Mendrit Topalli, Fadil Topalli, Arbenit Topalli dhe L.T., kanë qenë duke lëvizur me veturat e tyre në drejtim të shtëpisë së shëndetit, i ka vërejtur Skender Gjeli dhe ka vrapuar disa metra pas veturës së funit të tipit “BMW”.

Më tej, prokuroria pretendon në atë moment janë ndalur të tri veturat, ndërsa i pandehuri Skender Gjeli me të arritur te xhami i derës së parë, të anës së djathtë, ka shtënë me revolen e tipit “Glock”.

Gjithnjë sipas kërkesës kërkesës së prokurorisë, më pas të pandehurit Halit, Shaip, Mendrit, Fadil, Arbenit dhe L.T. kanë dalë nga tri veturat dhe e kanë sulmuar fizikisht të pandehurin Skender, duke e goditur me mjete të forta si shkopinj të drurit, shkopinj të metalit, shufër metalike të ngjashme me atë të Policisë.

Prokuroria thotë se gjatë përleshjes, i pandehuri Skender Gjeli disa herë kishte shtënë me armë në drejtim të të pandehurve tjerë.

Si rezultat i këtyre, Prokuroria pretendon se lëndime trupore me armë zjarri kanë pësuar të pandehurit Mendrit, Arbeniti, Fadili dhe L.T., derisa të pandehurit Shaip, Halit dhe Skender kanë pësuar lëndime trupore me mjete të forta.

Prokuroria pretendon se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që “ekziston rreziku i arratisjes, mund të ndikojnë në mbledhjen e provave apo te njëri tjetri, meqenëse asnjëri ende nuk është deklaruar në polici”.

Një arsye shtesë se përse prokuroria ka kërkuar paraburgimin e tyre është se të njëjtit kanë pasur edhe më herët mes vete konflikte të cilat janë të evidentuara edhe në stacion policor. Si rrjedhojë, ekziston rreziku që vepra e tentuar të përsëritet, apo edhe të përfundohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat