SBASHK-u paralajmëron grevë në kohë të pacaktuar nëse Qeveria nuk reflekton

Kosova

SBASHK-u paralajmëron grevë në kohë të pacaktuar nëse Qeveria nuk reflekton

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 11:00
Ilustrim

Dy orët e para të mësimit nuk janë mbajtur në të gjitha shkollat e pasi që mësimdhënësit u janë përgjigjur grevës së thirrur nga SBASHK-u.

Mësimdhënësit përmes këtyre veprimeve sindikale po kërkojnë që të zbatohet marrëveshja e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe koalicionit qeverisës me 5 qershor 2017,  veçanërisht po kërkojnë që në Kuvend të procedohet projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit për vitet 1990-1999.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj i cili ishte për vizitë në shkollën e mesme “Abdyl Frashëri” në Prishtinë bëri të ditur se uniteti që kanë treguar mësimdhënësit në grevën një orëshe kanë dhënë rezultate e saj të para.

Sipas tij përmes këtyre veprimeve që po i ndërmarrin po luftojnë që statutin e merituar ta marrin ata që nuk janë më gjallë e që dhanë shumë për arsimim gjatë periudhe së okupimit.

Jasharaj:Po luftojmë më shumë se kurrë

“Ne po luftojmë më shumë se kurrë për çështjen e ligjit p]ër statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90’ta dhe ia kam thënë edhe kryeministrit ky angazhim i yni nuk është aq shumë për ne të gjallët, por po bëjmë më shumë për ata që nuk i kemi në mesin tonë e që kanë punuar në ato vite që së paku familjet e tyre të ndihen krenar me titullin që ia siguron ky ligj person i merituar për shtetësinë e Kosovës dhe për benifitet e merituara që na i sjell ky ligj”, tha ai.

Jasharaj bëri të ditur se është momenti i fundit që mësimdhënësve t’iu  plotësohet kërkesa e tyre për ligjin e pagave dhe sigurimin shëndetësor.

Sipas tij nëse Qeveria nuk reflekton deri më 24 shkurt, mundësitë janë të mëdha për grevë me kohë të pacaktuar dhe protesta nga mësimdhënësit.

Se kërkesat e mësimdhënësve janë legjitime dhe duhet të plotësohen sa më parë për KosovaPress e ka thënë edhe kryetari i sindikatës së shkollës së mesme “Abdyl Frashër”, Nazmi Selmani.

Ai deklaroi se kjo grevë nuk po bëhet me dëshirë të tyre, por presin nga qeveria që sa më parë të reflektoj dhe ta procedojnë ligji për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999.

Selmani: Greva nuk është bërë me dëshirën tonë

“Kjo grevë nuk është bërë me dëshirë tonë por është si nevojë si kërkesë e cila kemi kaluar disa periudha bukur të vështira sidomos në vitet e 90’ta që ky ligj të hyjë në fuqi edhe pse ka qenë një marrëveshje që gjatë vitit 2017 të reflektoj qeveria dhe të realizohet ai ligj, dhe tani është pritur të vijë edhe viti 2018 meqë akoma nuk kemi diçka konkrete po shpresojmë që tani edhe qeveria do të reflektoj dhe mos të na bie në situata që ne akoma të vazhdojmë me greva ose me protesta sepse janë kërkesa legjitime nuk janë dëshira”, tha ai.

Sipas tij edhe prindërit duhet t’i mirëkuptojnë ata sepse atyre po iu bëhet një e pa drejtë.

Grevistëve iu ishte bashkuar edhe kryetari i Sindikatës Komunale të Prishtinës, Ahmet Pllana i cili ka deklaruar se të gjitha shkollat e kryeqytetit janë pjesë e grevave të thirrura nga SBASHK-u.

 Zeqir Rrecaj, profesor i lëndës profesionale pranë shkollës së mesme për agrobiznes dhe teknologji, thotë se  nëse qeveritarët nuk i realizojnë disa udhëtime të pa arsyeshme mjetet për t’i paguar mësimdhënësit do ishin të mjaftueshme.

Sipas tij është e vështirë që nxënësit po duhet ta humbasin mësimin.

Rrecaj: Kërkesat duhet me u realizua

“Arsyet i dinë edhe qeveritarët, arsyet janë që vitet e 90’ta që kemi punuar pa paga të paguhen ato, të realizohen pastaj disa sigurime, disa benifite tjera këto arrihen nëse qeveritarët i ndalojnë disa udhëtime zyrtare që nuk janë shumë të rëndësishme dhe mbesin mjete mjaftueshëm edhe mu realizu këto dhe mos të humbet mësimi sepse edhe ne jemi prindër dhe nuk kemi dëshirë me e humb mësimin”, u shpreh ai.

Rreaj tha se nuk kanë zgjidhjen tjetër për tu realizuar kërkesat e tyre si mësimdhënës.

I njëjtit mendim është edhe profesori, Zijadin Ajvazi i cili për KosovaPress është shprehur se ligjin për  statusin e punëtorëve për arsim për vitet 90’ta duhet ta gëzojnë mësimdhënësit sa më parë.

Ajvazi: Nuk kemi pasur mundësi tjera

“Nuk kemi pasur  tjetër mundësi të realizojmë të drejtat tona prandaj jo vetëm që e përkrahim por kemi qenë një pjesë edhe iniciator për realizimin e këtyre të drejtave që mendojmë që duhe t’i gëzojmë“, tha ai.

Ndryshe, mësimdhënësit kanë qenë në grevë një orëshe me kërkesë të njëjtë edhe më datën 14 shkurt 2018.

Një takim mes Jasharajt dhe kryeministrit Ramush Haradinaj është paralajmëruar për në orën 15:00.

Vendimi për grevën SBASHK-u e ka marr disa ditë më  parë në një mbledhje të jashtëzakonshme për shkak të mos respektimit të marrëveshjes së nënshkruar në mes të kësaj sindikate së bashku me koalicionin aktual qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat