Apelohet që të dhurohet gjak për të shpëtuar jetë

Kosova

Apelohet që të dhurohet gjak për të shpëtuar jetë

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 12:23
Dhurimi i gjakut

Me qëllimin që të sigurohen doza të mjaftueshme të rezervave të gjakut, nga e hëna deri të premten, do të organizohet Java e Dhurimit të Gjakut nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.

Kjo javë do të organizohet nën moton se “Dhurimi i gjakut është i sigurt, i shpejtë, i thjeshtë dhe shpëton jetë” me synimin që sa më shumë qytetarë t’i përgjigjen thirrjes për të dhuruar gjak.

Zëvendësdrejtoresha e kësaj Qendre, Bukurie Zhubi, në një intervistë për KosovaPress, ka treguar detajet sa i përket organizimit të javës së dhurimit të gjakut.

Zhubi: Ka për qëllim ndërgjegjësimin e popullatës për rëndësinë e dhurimit të gjakut

“Vetë dita botërore e dhurimit të gjakut ka për qëllim ndërgjegjësimin e popullatës që të kuptojë që dhurimi i gjakut është i dobishëm për arsye se gjaku duhet ta pret pacientin dhe jo pacienti ta pret gjakun. Në një anë e ka ndërgjegjësimin, në anën tjetër e ka edhe inkurajimin e dhuruesve vullnetar të gjakut që të vijnë dhe të dhurojnë gjak, në mënyrë që të ketë rezerva të mjaftueshme për ata që janë në nevojë”, ka thënë ajo.

Shpesh herë është diskutuar mbi atë se a mund të ketë efekte anësore një person që dhuron gjak, e këtë dilemë Zhubi e sqaron duke thënë se dhurimi i gjakut është shumë i dobishëm për organizmin e njeriut.

Dhurimi i gjakut, sipas saj, zvogëlon mundësinë që një person të preket nga sëmundjet kardio vaskulare.

Zhubi: Dhurimi i gjakut është i dobishëm për organizimin e njeriut

“Dhurimi i gjakut është i dobishëm për organizimin e njeriut, shumë hulumtime janë bërë në këtë drejtim të cilat kanë dokumentuar se dhurimi i gjakut është i shëndetshëm. Të gjithë ata që dhurojnë gjak sëmuren më pak prej sëmundjeve kardio vaskulare, kanë më pak probleme me shëndetin, më pak sëmuren nga kanceri. Ka një ripërtëritje të organizimit për arsye se dalin në qarkullim qeliza të gjakut të reja dhe të gjitha këto ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre”, bëri të ditur ajo.

Zëvendësdrejtoresha Zhubi bëri të ditur se gjendja e rezervave të gjakut në këtë Qendër është stabile, por që në qershor ka filluar të ndjehet mungesa e pjesshme e disa grupeve të gjakut, pasi që në këtë periudhë kryhen më shumë operacione ku është i nevojshëm gjaku.

Zhubi: Gjendja e rezervave është stabile

“Mund të them që prej janarit kemi pasur një gjendje relativisht stabile të stokut ose të rezervës së gjakut. Në muajin qershor kemi filluar të ndiejmë mungesën e pjesshme për disa grupe të caktuara të gjakut dhe kjo ndodhë për shkak se kemi sezonin e verës, por edhe aksidentet e komunikacionit, gjakderdhjet në disa operacione të rënda kanë ndikuar që grupe të caktuara të mungojnë edhe pse bëjnë pjesë në grupin më të shpeshta të grupeve të gjakut. Për shembull, brenda ditës kemi pasur tri raste të cilat kanë përdorur nga 30 deri në 40 doza gjak dhe kjo ka shkaktuar një harxhim të tepruar për disa grupe të gjakut, kështu që në ditët në vijim e më tutje është ndjerë një mungesë e pjesshme për këto grupe të gjakut”, ka thënë Zhubi.

Kjo nuk është hera e parë që Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut organizon javë të tilla, por që edhe këtë herë Zhubi pret që qytetarët t’i përgjigjen thirrjes së tyre për të dhuruar gjak për të gjithë ata që kanë nevojë.

Zhubi: Presim që qytetarët t’i përgjigjen thirrjes sonë

“Në bazë të përvojës të viteve të kaluara kemi pa që kjo është një përvojë jashtëzakonisht e mirë dhe që qytetarët i përgjigjen kësaj thirrje për dhurim të gjakut. Kemi pasur një numër të konsiderueshëm të dhuruesve të gjakut dhe shpresoj që të kemi prapë edhe në ditët në vijim një përgjigje të mirë të qytetarëve”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, zëvendësdrejtoresha Bukurie Zhubi apelon tek të gjithë ata që gëzojnë shëndet të plotë t’i përgjigjen thirrjes së tyre në mënyrë që si qendër të kenë rezerva të mjaftueshme të gjakut.

Java e Dhurimit të Gjakut do të fillojë më 18 qershor dhe do të zgjasë deri më 22 qershor, ku për këto pesë ditë ekipe mobile të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut do të qëndrojnë në të gjithë Kosovën.

Kështu gjatë gjithë javës një ekip i qendrës do të qëndrojë në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë. Më 18 qershor, gjak do të mund të dhurojnë edhe banorët e Prizrenit, ku aksioni do të organizohet në sheshin e këtij qyteti.

Ndërsa, më 19 qershor të gjithë qytetarët e Pejës mund të dhurojnë gjak në sheshin e këtij qyteti, ndërkaq vetëm një ditë më pas ekipi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut do të qëndrojë në Fushë Kosovë dhe në Mitrovicë. Më 21 qershor ekipi i qendrës do të jetë në Vushtrri, e më 22 gjak do të mund të dhurojnë të gjithë banorët e Ferizajt.

Të gjitha aksionet për grumbullimin e gjakut Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut do t’i fillojë në orën 10:00.

Ndryshe, më 14 qershor në të gjithë vendin është shënuar “Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut” në shenjë falënderimi për të gjithë ata që kontribuojnë me dhurimin e gjakut të tyre për të shpëtuar jetën e atyre që kanë nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat