Hiqet kufizimi i importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet, ja detajet

Kosova

Hiqet kufizimi i importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet, ja detajet

Më: 26 qershor 2018 Në ora: 12:09
Ilustrim

(E plotësuar) -Veturat më të vjetra se dhjetë vjet mund të regjistrohen nga qytetarët e Kosovës.

Ky kufizim ishte në Ligjin për Automjete, me një nen i cili sot u hoq nga ligji me votat e anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Ishte deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ai që kërkoi që të hiqet ky kufizim e i cili u përkrah edhe nga kolegët e tij deputetë.

Lushtaku ka  kërkuar edhe ndryshimin e nenit 63 të këtij ligji, për shpenzimet e larta për regjistrimin e automjeteve, në këtë rast në procesin e ndërrimit të pronarit.

Propozimin e Lushtakut e ka përkrahur edhe kolegia e tij  Sala Berisha -Shala, e cila tha se edhe në aspektin e kontrollit të automjeteve ka shkelje të konkurrencës së lirë.

Lushtaku: Po bëhet një plaçka me procedurën e regjistrimit të veturave

“Për mendimin tim, kjo është plaçka që iu bëhet qytetarëve, nuk deshta me shpreh më herët këtë çështje, por me të vërtetë është plaçkë kur dikush e ka një veturë, e regjistron, edhe pastaj dëshiron me ia shitë një pronari tjetër, e ai pronarë duhet të paguaj prej fillimit regjistrimin e veturës dhe kontrollin teknik. Ato mjete as nuk i kthehen pronarit të vjetër dhe as nuk i barten pronarit të ri. Kështu që ne si deputet për çdo ditë gjatë takimit me qytetarë, ata i shprehin këto brenga, por sigurisht se edhe për neve është shqetësuese, mirëpo për Qeverinë duhet me qenë edhe më shqetësuese”, ka thënë Lushtaku.  

Këto propozime i ka kundërshtuar përfaqësuesi nga Ministria e Infrastrukturës Avdi Kamerolli.

Sipas tij  nuk ka nevojë të bëhet ndryshimi i ligjit për heqjen e përkufizimit të veturave, sepse sipas tij, Kosova shndërrohet në varreza me automjete të kalbura, të cilat rrezikojnë edhe trafikun.

Kamerolli: Këto ndryshime ligjore, Kosovën e shndërrojnë në varrezë të automjeteve të kalbura

“Ndryshimi neneve 44 dhe 63 dhe 39 është i panevojshëm dhe i paarsyeshëm për Ministrinë e Infrastrukturës, ndryshimet e propozuara krijojnë mundësi për çrregullim të tregut të importit të automjeteve, në dëm të sigurisë të komunikacionit rrugor dhe të shëndetit të qytetarëve në përgjithësi. Këto ndryshime ligjore, Kosovën e shndërrojnë në varrezë të automjeteve të vjetra dhe të kalbura të cilat e ndotin ambientin, ku siguria e tyre aktive dhe pasive është e mangët. Automjetet e reja janë më të sigurta në trafikun rrugor”, ka thënë Kamerolli.

Por propozimin e Lushtakut e mbështetën edhe deputetët opozitarë.

Hikmete Bajrami e LDK-së  ka thënë se ndryshimi i nenit 44 për heqjen e kriterit për vjetërsinë e automjeteve duhet të analizohet mirë, ndërsa ka mbështetur ndryshimin e nenit 63 për procesin e regjistrimit të automjeteve.

Bajrami: Heqja e përkufizimit të veturave duhet analizuar mirë, mendoj se ka pasur efekt pozitiv

 “Sa i përket nenit 44 për heqjen e kriterit të vjetërsisë së veturave, unë konsideroj se na duhet një analizë pak më e detajuar për me parë me të vërtetë se a janë dëmtuar qytetarët, sa është ulë numri I veturave të vjetra e tjera… mendojë se një kriter i tillë ka pasur ndikim pozitiv qoftë në mbrojtjen  e ambientit qoftë në ndryshimin e komplet të veturave”, ka thënë Bajrami.

Kufizimin e vjetërsisë për import të automjeteve e ka përkrahure dhe deputeti i VV-së, Liburn Aliu, i cili tha se  një veturë mund të jetë vjetër, por ndoshta i plotëson kriteret dhe standarde për ndotje.

Pa asnjë votë kundër anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kanë përkrahur iniciativën e deputetit Mërgim Lushtaku për ndryshimin e Ligjit të Automjeteve.

Kufizimi i importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet hyri në fuqi më 1 janar 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat