Interesim i madh i qytetarëve për t’i kontrolluar gjobat online

Kosova

Interesim i madh i qytetarëve për t’i kontrolluar gjobat online

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 09:12
Ilustrim

Qytetarët e Kosovës kanë shfaqur interesim të madh për t’i kontrolluar gjobat përmes platformës online, të prezantuar së fundi, përcjell KosovaPress.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi përmes një publikimi të bërë në rrjetin social Facebook pak çaste më parë.

“Gjatë javës së fundit të lansimit të aplikacionit është shfaqur interesim i madh për të vizutuar faqën për kontrollim të gjobave në trafik, ku për një periudh shumë të shkurt statistikat tregojnë se kërkesa ka arritur 61.000 shfletime”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se ministria me të cilën ai udhëheq do të vazhdojë me projekte inovative në të mirë dhe lehtësim të shërbimeve për qytetarët.

Pas lansimit të këtij aplikacioni, në media një kohë qarkulluan informata se të dhënat personale nuk janë të sigurta. Mirëpo, kjo gjë u mohua nga Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka sqaruar se mbrojtja e të dhënave personale në ueb modulin për kontrollin e gjobave në trafik është në përputhje të plotë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe se të gjitha të dhënat e shfaqura janë të enkriptuara sipas standardeve për enkriptim.

Lansimi i këtij ueb-moduli si fazë testuese ka filluar me datën 06.07.2018, në ueb faqen e PK-së, ku është instaluar ikona “Gjobat në trafik", ku pas klikimit në të njëjtën dhe ofrimin e të dhënave si numri personal, emri dhe mbiemri, çdo qytetar do të ketë mundësi t’i gjejë sa tiketa të papaguara i ka, numrin e tiketës, në cilin stacion janë shqiptuar dhe sa e kanë vlerën. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat