Historia e seancave për Kosovën në KS të OKB

Kosova

Historia e seancave për Kosovën në KS të OKB

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 00:21
?Historia e seancave për Kosovën në KS të OKB

Nëntëmbëdhjetë vjet pas vendosjes së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) janë ndërprerë seancat ku mblidhen shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB’së dhe diskutojnë për Kosovën. Kjo është bërë falë qëndrimit të Britanisë së Madhe, e cila kryeson gjatë gushtit me KS’në e OKB'së, pikërisht në kohën kur në Nju-Jork do të diskutohej raporti tremujor i UNMIK'ut për situatën në Kosovë.

Në vitet kur administrata ndërkombëtare kishte pushtet absolut në Kosovë, institucionet e Kosovës, që njiheshin si IPVQ (institucione të përkohshme vetëqeverisëse), bënin përpjekje të jashtëzakonshme për ta dërguar atje një zyrtar nga Kosova. Për herë të parë kjo ishte bërë e mundur në fillim të vitit 2006, kur në krye të Qeverisë së Kosovës ishte Bajram Kosumi. Për Kosovën, aty fjalën kryesore e thoshte shefi i UNMIK'ut, ndërkohë që Kosumi ishte pjesë e delegacionit që kishte udhëtuar nga Prishtina, por pa të drejtë fjale. Edhe në korridore, Kosumi s'kishte bërë shumë, pasi nuk i kishin siguruar as përkthyes. Në këtë mekanizëm, Serbia bënte akuzat kryesore kundër Kosovës, duke i bërë të mëdha incidentet edhe më të rëndomta që ndodhnin. Po ashtu, aty flisnin edhe një varg shtetesh që nuk kishin informata se çfarë po ndodhte në Kosovë, përveç raportit pothuajse shabllon të UNMIK'ut. "Dhoma norvegjeze" ka shërbyer edhe si arenë e përballjes, e shteteve të Perëndimit në njërën anën, dhe Rusisë e Kinës në anën tjetër, sado që Kina është treguar më e rezervuar. Kosovës i ishte siguruar e drejta e fjalës më vonë, por përfaqësuesi i saj aty, pavarësisht se cili ishte, ndodhej në kapacitet privat dhe thirrej në emër e mbiemër, e jo me post dhe si përfaqësues shteti, për shkak se në OKB s’ka një qëndrim unik për shtetësinë e Kosovës. UNMIK’u vazhdonte po ashtu të fliste për Kosovën.

Vendet perëndimore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, e të tjera, kohëve të fundit kanë bërë përpjekje për t’i dhënë fund formatit të tillë të diskutimit. Një gjë e tillë është bërë vetëm tani, kur në gusht të vitit 2018, me KS’në e OKB'së, kryeson Britania e Madhe. Ky shtet, që deri më tani i ka ndihmuar shumë Kosovës në Nju-Jork, nuk e ka futur fare Kosovën në rend dite. Mbetet të shihet nëse kjo praktikë do të marrë fund përgjithmonë, apo shtetet që kanë disponim kundër Kosovës do ta kthejnë përsëri në tryezë, duke i bërë favor Serbisë, për ta paraqitur Kosovën si vend problematik, ku administrata ndërkombëtare duhet të mbetet ende me rol të rëndësishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat