Viti, përurohen pikat e shitjes për shoqatat e grave dhe prodhuesit e vegjël

Kosova

Viti, përurohen pikat e shitjes për shoqatat e grave dhe prodhuesit e vegjël

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 16:34
Viti

Në kuadër të projektit INTERDEV 2 të financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADA), Komuna e Vitisë, ADA dhe UNDP bënë përurimin e 13 kiosqeve në qendër të Vitisë. Këto kiosqe do të ju shërbejnë si pika shitëse shoqatave të grave dhe prodhuesve të vegjël në komunë, duke mbuluar kështu objektivat ekonomik dhe social.

Shumica e grupeve të lartpërmendura që merren me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e produkteve gastronomike dhe atyre artizanale i shesin këto prodhime në mënyrë sporadike nga një panair në tjetrin, që nuk sjell likuiditet dhe burime të qëndrueshme të të ardhurave nga puna e tyre. Duke marrë parasysh nivelet e të papunësisë, barrierat në tregun e punës dhe atë të biznesit, veçanërisht në mesin e grave, projekti krijon mundësi që prodhuesit vendas të promovojnë prodhimet e tyre, të kenë hapësirë për shitje gjatë gjithë vitit dhe të fitojnë më shumë të ardhura .

Në ngjarje ishin të pranishëm edhe Sokol Haliti, kryetari i komunës së Vitisë, Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së dhe Gunther Zimmer, shef i ADA-së për Kosovë të cilët u shprehën me fjalë miradie për këtë iniciativë dhe projektin në përgjithësi. Përfaqësues të shoqatave të grave, zyrtarë komunal, përfaqësues të ADA-së dhe UNDP-së si dhe qytetarë të Vitisë, u mblodhën për të marrë pjesë në përurim.

Në ngjarje, që u mbajt mu në vazhdën e”ditëve të Diasporës” të komunës së Vitisë, prodhuesit vendorë paten rastin të shfaqin prodhimet e tyre, duke u dhënë vizitorëve një mundësi për të parë dhe blerë gjësende të ndryshme bujqësore dhe artizanale.

Që nga viti 2014, projekti INTERDEV, ka mbështetur banorët e komunave të Dragashit, Shtërpcës si dhe të Vitisë gjatë fazës së dytë, për të zhvilluar aftësi të reja, gjetur punë, rritur prodhimin bujqësor, dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura për komunitetet lokale. Projekti në mënyrë aktive promovon fuqizimin e grave, të rinjve dhe personave në rrezik për t’u lënë mënjanë, me mundësi për punësim, zhvillim të aftësive dhe ndërmarrësi rurale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat