I ndërpritet paraburgimi të dënuarit për posedim dhe shitje të narkotikëve

Kosova

I ndërpritet paraburgimi të dënuarit për posedim dhe shitje të narkotikëve

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 19:05
Gjykata e Apelit të Kosovës

Gjykata e Apelit të Kosovës ka njoftuar se i është ndërprerë masa e paraburgimit të akuzuarit N.K.

“Ky i fundit është dënuar  me 01.02.2018, nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, më gjashtë vjet burgim, si fajtor për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar me dashjen për të shitur, eksportuar ose shpërndarë dhe importuar narkotik të rrezikshëm’ nga neni 228 par.1, 2 dhe 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës  (vepër kjo e inkriminuar edhe  sipas nenit 245 par.1 dhe 2 të Ligjit Penal Jugosllav).

Po atë ditë, gjykata e shkalles se parë, të akuzuarit ia ka shqiptuar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, duke qenë se është dënuar me mbi 5 vjet burgim, dhe se shqiptimi i kësaj mase në  këto raste është i detyrueshëm, konform dispozitave te nenit 367 të Kodit të procedurës penale të Republikës së Kosovës.

Meqenëse aktgjykimi i atakuar është anuluar nga Gjykata e Apelit, e duke pasur parasysh se i akuzuari ka qenë duke u mbrojtur në liri, dhe se paraburgimi i është caktuar për shkak të kohëzgjatjes së dënimit të shqiptuar, Kolegji penal i kësaj gjykate  ka ardhur në përfundim se tanimë kanë pushuar arsyet ligjore për të cilat është caktuar paraburgimi”, njofton Gjykata e Apelit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat