Vrasja në Gjakovë, reagon RrGK: Shteti dështon në mbrojtjen e grave

Kosova

Vrasja në Gjakovë, reagon RrGK: Shteti dështon në mbrojtjen e grave

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 12:20
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Të indinjuara nga vrasjet makabre që po u bëhen grave dhe vajzave, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i bën thirrje shoqërisë kosovare që të ndërmarrë masa adekuate në këtë drejtim për mbrojtjen e tyre.

Mbrëmë në Brekoc të Gjakovës janë vrarë nënë dhe bijë nga bashkëshorti i 40-vjeçares dhe sipas burimeve të RrGK-së, vrasësi kohë më parë ishte mbajtur në paraburgim për ushtrim të dhunës në familje ndaj të ndjerës.

“Lirimi i tij ka dërguar në vrasjen e gruas dhe të vajzës. RrGK beson, që në rast se i njëjti do të ishte dënuar paraprakisht, sot nuk do të shkruanim këtë reagim dhe një grua e një fëmijë do të ishin në jetë. Në ditën e vrasjes, e ndjera kishte paralajmëruar policinë për kërcënimet që i kishte pranuar nga tashmë vrasësi i saj, por siç u raportua në media, policia kishte dështuar ta kontaktoj atë”, thuhet në reagim. 

RrGK konsideron se është koha e fundit të reagohet ndaj vrasësve të grave dhe vajzave dhe të vihen para drejtësisë kryesit e dhunës.

“Institucionet përgjegjëse dhe individ që veprojnë në këto institucione të marrin ndëshkimin e duhur nga shoqëria. Ndëshkim moral dhe ndëshkim ligjor për mbrojtësit e vrasësve, për mirëmbajtësit e rendit patriarkal, për të cilët jeta e grave dhe e vajzave nuk ka kurrfarë vlere”, përfundon reagimi i RrGK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat