Kalaja e Vuçakut do të shërbejë si pikë e turizmit kulturor

Kosova

Kalaja e Vuçakut do të shërbejë si pikë e turizmit kulturor

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 15:52
Kujtim Gashi, sot ka vizituar edhe kalanë e Vuçakut në afërsi të Drenasit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot ka vizituar edhe kalanë e Vuçakut në afërsi të Drenasit, në të cilën po bëhen punime arkeologjike.

Ministri Gashi ka përgëzuar stafin e arkeologëve për punën e bërë në këtë kala dhe ka thënë se MKRS do të jetë gjithmonë e gatshme të përkrahë projekte të tilla.

Gashi: MKRS do të mbështesë projekte arkeologjike

“Ministria do të jetë e përkushtuar në maksimum që të mbështesë të gjitha projektet të cilat sjellin rezultate, të cilat kanë suksese, dhe një nga ta është pikërisht ky projekt, procesi i gërmimeve në Kalanë e Vuçakut, dhe, i nderuar Shafi, në emër të Ministrisë dhe në emër timin personal, të përgëzoj, të falënderoj për punën e shkëlqyeshme që e keni bërë këtu”, ka thënë Ministri Gashi.

Ministri Gashi ka thënë se Ministria do të ndajë fonde shtesë në mënyrë që ky projekt të realizohet sa më mirë.

Gashi: Vendbanimet arkeologjike do t’i kthejmë në pika turistike

“Po ashtu, jemi të interesuar si Ministri, të gjitha këto pika arkeologjike, të gjitha vendbanimet arkeologjike t’i kthejmë në pika turistike sepse Kosova ka mjaft monumente, mjaft vendbanime arkeologjike dhe jemi të interesuar si shtet, që të gjitha këto, sipas planit të menaxhimit për secilin institucion t’i kthejmë në pika turistike”, ka thënë Ministri Gashi.

Ndërsa profesori dhe arkeologu Shafi Gashi ka treguar se kjo kala daton qysh nga koha e neolitit të vonë dhe ka brenda një nga kishat më të vjetra të ndërtuara në Dardaninë e shekullit IV. Arkeologu Gashi e ka cilësuar si një objekt kompleks këtë kala dhe ka thënë se po shpresojnë për përkrahje të vazhdueshme.

Shafi Gashi:  Kalaja daton qysh nga koha e neolitit të vonë

“Kalaja, në fazën ma të hershme të jetës, ka fillu që nga periudha e neolitit të vonë, diku rreth 4500 vite para erës sonë, për të vazhdu pastaj jetën gjatë periudhës së bronzit , gjegjësisht periudhës iliro-dardane që ne e datojmë diku rreth vitit 1800-1500 para erës sonë dhe gjithë këto struktura që ne i shohim, janë kryesisht të periudhës së Perandorit Justinian”, ka thënë arkeologu Gashi.

Arkeologu Gashi ka thënë se kanë marrë një buxhet të mjaftueshëm nga MKRS-ja dhe se po punojnë që ta kthejnë në një monument të turizmit kulturor.

Gjatë kësaj dite, ministri Gashi ka qenë edhe në Dresnik të Klinës, për të parë nga afër gërmimet arkeologjike që po bëhen në këtë objekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat