Panairi “Bashkë mundemi”, mundësi për promovimin e produkteve vendore

Kosova

Panairi “Bashkë mundemi”, mundësi për promovimin e produkteve vendore

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 13:46
Pamje nga panairi “Bashkë mundemi”

Me moton “Bashkë mundemi”, sot në sheshin “Zahir Pajaziti” është hapur panairi në të cilin organizata të grave, gra në biznes dhe individë të tjerë po promovojnë produktet e tyre tradicionale.

Ky panair është bërë i mundur me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA dhe në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Rona” .

Shefi i zyrës së TIKA-së në Kosovë, Hasan Burak Ceran u shpreh se qëllimi i këtij panairi është të ndihmohen organizata e grave për të promovuar produktet e tyre vendore.

Ceran: Jemi bashkuar për t’i promovuar produktet vendore

“Ju e dini se projektet tona janë të fokusuara për njerëz, prandaj ishte shumë e rëndësishme që ta bëjmë një organizim së bashku me organizatat e ndryshme të grave për ta promovuar produktet vendore dhe produktet e punuara nga gratë“, ka thënë Ceran.

Gratë pjesëmarrëse janë shprehur optimiste se do fitojnë nga ky panair, dhe sipas tyre evente të tilla duhet të organizohen më shpesh.

Selvete Krasniqi, pjesëmarrëse, thotë se tek ajo të gjithë të interesuarit mund të blejnë bizhuteri të ndryshme.

Krasniqi: Kam prezantuar çejzin punë dore

“Kam prezantuar çejzin punë dore edhe bizhuteri punë dore, të fytit, të dorës këto  çka shkojnë krejt punë dore që shkojnë me grepë, me tentene. E dyta herë që marr jam kanë shumë e interesuar edhe më herët me marr pjesë por nuk munda të gjej lidhjen...Shpresoj na paguhet mundi dhe djersa që i kemi paguar këto”, tha Krasniqi.

Në panair po merr pjesë edhe Hana Zabeli, punuese e veshjeve kombëtare, e cila thotë se në mungesë të tregut të veçantë për të promovuar punimet, panairet e tilla janë të domosdoshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre.

Zabeli:  Nuk kemi treg tjetër për të promovuar punimet tona

“Ne kemi prezantuar sot këtu ato çka na merr mendja që shkon, më shumë veshje të vogla më së shumti për fëmijë, kemi edhe për të rritur, kemi për meshkuj, femra, kemi edhe disa dekorime me rruaza të veshjeve që janë, kështu që po shoh që ka të interesuar. Për këtë vit është e katërta. Jemi të kënaqur mundet edhe më shumë por jemi të kënaqur sepse ne nuk treg tjetër përveç panaireve”, u shpreh ajo.

Nga Mitrovica për të promovuar reçelet dhe turshitë e saja, kishte ardhur edhe Nadire Hasani,  e cila tha se panaire të tilla janë ndihmesë e madhe për gratë në biznes.

Hasani: Kjo është ndihmesë e madhe për neve

“Kjo është një ndihmesë e madhe për neve për t’i shitur produktet tona të cilat merremi me ajvar, gjema, reçele dhe turshia të ndryshme. Kjo është një organizatë që neve shumë na ka ndihmuar dhe besoj që në të ardhmen ka me na ndihmua gjatë dhe të ketë panaire më të shpeshta. Besoj që ka me pas punë, katër ditë është domethënë të kemi punë më shumë“, ka deklaruar ajo.

Ndryshe, në panairin “Bashkë Mundemi” po marrin pjesë rreth 70 pjesëmarrës, dhe ai do të zgjasë deri më 19 gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat