Podujeva ndërton raporte bashkëpunimi me Velbert, pritet binjakëzimi

Kosova

Podujeva ndërton raporte bashkëpunimi me Velbert, pritet binjakëzimi

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 11:01
Foto

Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu ka pritur në takim Rrahman Islamin, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Velbert - Podujevë, me të cilin diskutuan për planet dhe aktivitetet që do të realizohen nga këto qytete.

Në fokus të takimit ishte agjenda e vizitës së delegacionit të këtij qyteti gjerman, që do t’i bëjë Komunës së Podujevës gjatë muajit shtator.

Kryetari Veliu tha se falë kontakteve të vazhdueshme të zhvilluara viteve të fundit me këtë qytet, janë ndërtuar raporte bashkëpunimi, të cilat do të konkretizohen në fusha të ndryshme.

“Gjatë vizitës në Podujevë delegacioni i qytetit të Velbertit do të zhvillojë takime me qëllim bashkëpunimi me klubet sportive në futboll, çiklizëm, not dhe boks. Ndërsa, do të ketë takime edhe me organizatat rinore ku priten bashkëpunime në këtë fazë”, tha Kryetari Veliu, njofton kumtesa për media.

Gjithashtu Kryetari Veliu tha se gjatë qëndrimit në Podujevë delegacioni gjerman do të vizitojë edhe institucione dhe organizime të ndryshme me qëllim që të njoftohen sa më shumë me specifikat, mundësitë dhe nevojat e qytetit.

Ndërsa, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Podujevë – Velbert, Rrahman Islami tha se delegacioni gjerman do të përbëhet nga njerëz të fushave të ndryshme, kurse në fund të vizitës do të realizohet edhe një film dokumentar i metrazhit të shkurtër me informacione dhe specifika të Komunës së Podujevës, i cili do të përdoret si formë lobimi tek deputetët e qytetit të Velbertit për ta votuar vendimin për binjakëzim me Podujevën.

Ky film do të prezantohet edhe në takime të ndryshme me biznese të këtij qyteti, me qëllim të nxitjes së investimeve gjermane në qytetin e Podujevës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat