KMDLNj: Qytetarët mos t’i paguajnë humbjet e KEDS-it dhe të paditet ZRRE

Kosova

KMDLNj: Qytetarët mos t’i paguajnë humbjet e KEDS-it dhe të paditet ZRRE

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 11:49
KEDS-it,

Vendimi i fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e KEDS-it, të faturohen me miliona euro te konsumatorët e përgjegjshëm, po konsiderohet jo ligjorë, i turpshëm dhe i pa pranueshëm.

Derisa zyrtarë të KEDS-së thonë se kjo çështje është normale, ngaqë një gjë e tillë ndodhë në gjithë botën.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se ZRRE-ja, asnjëherë nuk ka marrë ndonjë vendim në dobi të konsumatorit, por gjithmonë në dobi të KEDS-it dhe kompanive tjera.

Ai tha se në rastin konkret konsumatori nuk e ka asnjë detyrim t’i mbulojë humbjet e KEDS-it.

“ZRRE-ja në mënyrë të vetëdijshme po punon kundër interesit të konsumatorëve të Kosovës. Qytetarët duhet të paguajnë vetëm për rrymën e shpenzuar nga ta, ndërkaq, çdo gjë që është mbi ato shpenzime, qytetarët nuk duhet ta paguajnë në asnjë mënyrë, por të kundërshtojnë, protestojnë dhe ta padisin ZRRE-në, sepse ky vendim është në interesin e një kompanie, siç është KEDS”, ka thënë Shala.

Kurse, kryetari i shoqatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, ka thënë  se mbulimi i vjedhjeve në rrjetin e KEDS-it, nuk ka asnjë kuptim, sepse qytetari konsumator i ndershëm nuk ka asnjë fije përgjegjësie për to.

Ai tutje ka thënë se ZRRE-ja me këto veprime po i detyron konsumatorët të rebelohen dhe të mos paguajnë as një faturë.

Kaçaniku: ZRRE po na detyron që të rebelohemi dhe mos ta paguajmë asnjë faturë

“Zyra e Rregullatorit po më duket se kësaj radhe e ka tepruar dhe unë mendoj që qytetarët konsumator duhet të mendojnë mirë se çka do të bëjnë në të ardhmen me faturat e energjisë elektrike. Kjo më nuk tolerohet, kjo më nuk mund të ‘durohet’ dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë përfundimisht duhet të çlirohet nga tutela politike… Po na detyrojnë që ne të rebelohemi dhe mos ta paguajmë asnjë faturë”, ka thënë Kaçaniku.

Ai madje tha se kjo çështje duhet të dërgohet për mendim në Gjykatën Kushtetuese, dhe pse jo të fillojnë hetimet nga Prokuroria e shtetit.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë se humbjet e energjisë elektrike, qofshin ato teknike dhe vjedhje, viteve të fundit janë faturuar ndaj konsumatorëve të përgjegjshëm të KEDS-it, dhe do të vazhdojnë të faturohen edhe më tej, sepse sipas tij, kjo është normale dhe ndodhë në çdo vend të botës.

Buzhala ka shtuar se pjesa më e madhe e humbjeve janë keqpërdorime të energjisë elektrike, përkatësisht vjedhjet janë pjesa më e madhe.

Buzhala: Humbjet janë faturuara dhe vazhdojnë të faturohen

“Këto humbje sigurisht që tarifohen, mirëpo për detaje tjera mund t’iu drejtoheni Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, mirëpo dihet se në aspektin ekonomik secila humbje faturohet, në secilin sistem energjetik të botës faturohen, është proces normal, janë faturuar edhe më herët dhe vazhdojnë të faturohen edhe tash, mirëpo secila kompani humbjet e jashtëzakonshme i faturon tek konsumatorët”, ka thënë Buzhala.

Buzhala tutje ka thënë se humbjet në rrjetin e KEDS-it janë rreth 24 përqind, derisa kanë qenë 32 përqind.

Buzhala: 25 përqind janë humbjet totale

“Niveli i humbjeve ka rënë diku me 8 përqind që është 25 përqind e humbjeve totale brenda periudhës pesë vjeçare. Nga 32 përqind sot i kemi rreth 24 përqind, po flasim për fundin e vitit 2017. Këto janë të dhëna të sakta. Jemi duke punuar në atë drejtim për zvogëlimin e mëtutjeshëm, mirëpo tash jemi në kohën kur tempo duhet të përshpejtohet, në mënyrë që të arrijmë objektivat”, ka thënë Buzhala.

Ndërsa, zyrtarë të ZRRE-së pohojnë se bëhet fjalë për miliona euro për mbulimin e shpenzimeve. Në vendimin e fundit të bordit të ZRRE, thuhet se sa i përket nivelit të lejuar të humbjeve për OST, bordi ka vendosur që të jetë i njëjtë me atë që është aktualisht në vlerë prej 1.78%.

Për OSSH në dy vitet e para të periudhës do të jetë 18.8% për të vazhduar në tri vitet e tjera me 17.6%, 16.4% dhe 15.1% në vitin e fundit. Niveli i Mesatares së Ponderuar të Kostos së Kapitalit, siç është vendosur nga bordi i ZRRE, për periudhën e ardhshme do të jetë 8.3% për të dy operatorët.

Zyrtarja për Marrëdhënie me Publik në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), Adelina Murtezaj ka thënë , se deri më tani bordi i ZRRE ka aprovuar vetëm parametrat rregullativ, bazuar në të cilët do të bëhet edhe aprovimi i të hyrave maksimale të lejuara (HML).

Pas aprovimit të të hyrave maksimale, furnizuesi publik aplikon për tarifat e rregulluara të bazuara në HML-të e aprovuara.

Sipas saj, të gjitha këto procese i nënshtrohen diskutimeve publike dhe vendimmarrjes së bordit të ZRRE.

 “Sa i përket tarifave dhe faturave të ardhshme të energjisë elektrike nuk mund të prejudikojmë asgjë, sepse ende nuk janë përfunduar analizat për të Hyrat e Lejuara Maksimale dhe ato përbëhen nga një varg komponentësh. Në Parametrat Rregullativ të vendosur së fundi ka pasur edhe vlera të cilat janë ulur në përqindje, prandaj pa u kryer të gjitha analizat dhe kalkulimet dhe pa u marrë vendimi përfundimtar nga bordi i ZRRE nuk mund të flasim për ndonjë ndryshim të pritshëm në tarifat e energjisë elektrike”, ka thënë Bajrami. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat