Mbetjet shtazore rrezikojnë jetën e qytetarëve

Kosova

Mbetjet shtazore rrezikojnë jetën e qytetarëve

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 17:35
Pamje nga Mirashi

Mbetjet shtazore që po hidhen në deponinë e Mirashit po rrezikojnë shëndetin e banorëve të fshatit Palaj të Obiliqit.

E rrezikuar po ndihet edhe familja e Bajram Garës, e cila jeton vetëm disa metra larg deponisë së Mirashit në të cilën edhe punon.

Ai thotë se për shkak të kundërmimit të bërllokut, fëmijët e tij po sëmuren shumë shpesh.

Gara ka thënë se nuk kanë mundësi t’i hapin dritaret për shkak të erës dhe pluhurit të madh.

Gara: Ndodh që një apo dy herë në muaj i dërgoj fëmijët te mjeku

“Mundemi me hap dritaren, por ka edhe pluhur edh erë pengon, normal që pengon...Na jemi mësuar ne punojmë aty, ne jemi mësuar nuk kemi qare, diku duhet me punuar...Po shkojnë normalisht që shkojnë fëmija se i vije era normalisht këta nuk munden me përballua sikur ne. Varet si sëmuren ndodhë që duhet në muaj një herë me i dërgua ose dy herë“,  u shpreh Gara.

Se gjendja është alarmante e thotë edhe banori tjetër i këtij fshati, Srdjan Iliq, i cili është shprehur se erërat e rënda janë të pranishme në të gjitha stinët, prandaj sipas tij, nevojitet gjetja e një zgjidhja adekuate, përfshirë edhe zhvendosjen e fshatit.

Iliq: Nuk mund t’i hapim dritaret për shkak të erës së rëndë

“Ky bërllok që hidhet këtu është nga gjysma e Kosovës, nuk na pengon vetëm neve në fshat, por edhe Palaj, Haden dhe Obiliqin. Nuk mund t’i hapim dritaret as në mëngjes dhe as në mbrëmje për shkak të erës së rëndë dhe pluhurit të bërllokut që hidhet në deponi. Këtu të ndalohet që të mos hidhet më bërllok ose të bëhet zhvendosja e mjedisit tonë. Nuk është mirë për fëmijët e vegjël që non-stop të shkojnë te mjeku dhe të marrin injeksione”, tha ai.

Ai thotë se në këtë deponi hidhen mbeturina nga gjysma e Kosovës, duke përfshirë edhe mbetjet shtazore, të cilat edhe më shumë po shkaktojnë pasoja te këta banorë.

Iliq thotë se kanë kërkuar ndihmë edhe nga komuna e Obiliqit, por sipas tij as zyrtarët komunalë nuk po dinë të ofrojnë zgjidhje, ndonëse banorët nuk po mund të durojnë kundërmimin e mbeturinave.

Iliq: Nuk mund t’i durojmë më këto gazra

“Ne banorët e fshatit tonë edhe serbët, edhe shqiptarët kemi qenë në komunën e Obiliqit dhe kemi kërkuar nga kryetari i komunës dhe nënkryetari që të ndalohet hedhja e mbeturinave në këtë deponi dhe që të gjendet një lokacion tjetër. As vetë zyrtarët nga komuna e Obiliqit nuk dinë se si t’ia bëjnë, kurse ne banorët e Crkvena Vodicës, serbët dhe shqiptarët e Hadës nuk mund të durojmë më këto gazra dhe erëra” u shpreh ai.

E gjithë kjo po ndodh për shkak se në Kosovë ende nuk ka ndonjë rregullativë, e cila e përcakton se ku duhet të hidhen nënproduktet e kafshëve që theren, ndonëse fabrika për përpunimin dhe asgjësimin e nënprodukteve të kafshëve, përfshirë edhe eshtrat e cila pritej t’i jepte fund kësaj problematike është ndërtuar, por që ende nuk është funksionale.

Lidhur me këtë shqetësim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se janë duke punuar që në strategjinë nacionale për menaxhimin e mbeturinave të përfshihen edhe menaxhimi i nënprodukteve shtazore.

Ndërsa, për fabrikën për riciklimin e mbetjeve shtazore, përmes emailit, kanë thënë se kanë dhënë pëlqimin mjedisor.

“MMPH ka lëshuar pëlqim mjedisore pasi që AVUK, ka bërë kërkesën për pëlqim mjedisore  dhe investitori ka përgatitur raportin për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Aktualisht MMPH, është duke e ndryshuar/plotësuar strategjinë nacionale për menaxhimin e mbeturinave, në të cilën sigurisht do të inkorporohen edhe kahet e menaxhimit të  nënprodukteve të kafshëve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.

Ministria thotë se për lokacionin se ku duhet të hidhen mbetjet shtazore vendos Agjencia e Veterinë dhe Ushqimit, por nga AVUK-u kanë thënë se kjo çështje është në kompetencat e MMPH-së.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaçi për fabrikën e riciklimit të mbetjeve shtazore, thotë se punimet kanë nisur qe një kohë dhe që shpejt presin funksionalizimin e saj.

Thaçi: Presim të finalizohet së shpejti fabrika për riciklimin e mbetjeve shtazore

Video“Për momentin është Ministria e Ambientit e cila kujdeset për caktime të lokacioneve të trajtimit të mbetjeve me origjinë shtazore, por në të ardhmen ne shpresojmë shumë shpejt që do ta kemi një fabrikë që është vetëm duke u punuar. Fabrika është nisur shumë moti, është punuar në të dhe ne presim që ajo të finalizohet dhe të lëshohet”, u shpreh ai.

Kpka tentuar të marrë një përgjigje për këtë fabrike edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, por nuk ka qenë e mundur.

Kostoja e fabrikës për përpunimin dhe asgjësimin e nënprodukteve të kafshëve është 7.7 milionë euro, prej të cilave 5.7 milionë janë ndarë nga BE-ja, përkatësisht Komisioni Evropian, kurse 2 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.

Kjo fabrikë pritet të jetë e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit duke vendosur një sistemi efektiv e të sigurt për trajtimin e nën-produkteve të kafshëve.

Ndryshe, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ditë më parë ka marrë vendim që nga 15 shtatori të nisë një aksion për pastrimin e ambientit, aksion ky i cili pritet të zgjasë 3 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat