Ngecin punimet në ndërtimin e autostradës së Skenderajt

Kosova

Ngecin punimet në ndërtimin e autostradës së Skenderajt

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 11:57
Pamje nga punimet

Punimet në rrugën me katër korsi që lidh Skenderajn me Drenasin, të cilat rinisën në prill të këtij viti sërish janë bllokuar.

Me paratë e Ministrisë së Infrastrukturës në vitin 2014 kishte nisur zgjerimi i rrugës Skenderaj-Drenas-Komoran punimet ishin bllokuar për të rinisur në prill të këtij viti.

Kallxo.com mëson se procesi i ndërtimit të kësaj rruge sërish është ndërprerë për shkak të shpronësimeve.

“Punimet ne zgjerimin e rrugës regjionale R(102) Drenas-Skenderaj. Arsyeja e këtyre ndërprerjeve është për shkak të procesit të shpronësimeve i cili proces nuk ka përfunduar ende. Nga ana e MI-së, sipas të dhënave të personit përgjegjës për çështjen e shpronësimeve, elaborati i shpronësimeve është i gatshëm, por puna ka ngecur në pritje të azhurnimit të të dhënave nga ana e Kuvendeve Komunale gjegjësisht Drenasit dhe Skenderajt”, ka thënë zyra e MI.

Në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve në prill të këtij viti ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kishte paralajmëruar që deri në vitin 2023, “Drenica ashtu si krejt Kosova do të jetë e kompletuar në infrastrukturë, moderne dhe me të gjitha elementet e sigurisë dhe sinjalistikës”.

Punimet janë ndërprerë në kohën kur Kosova është e mbingarkuar me vetura të mërgimtarëve, dhe si rrjedhojë rrugët kanë mbetur në një gjendje aspak të përshtatshëm dhe jo shumë të sigurt.

Gani Hoti një mërgimtar për Kallxo.com ka thënë se kjo rrugë përveç që po i sjell maltretim tek ai si vozitës, problem po i sjell edhe automjetit.

“Shume keq ka mbet, e shpresojmë qe po kryhet më, bile verën tjetër me i ra kësaj rruge rahat, se po tutemi edhe kerret qe po na i prish, po e shihni edhe vet në çfarë gjendje është”, tha bashkatdhetari.

Për qarkullimin e automjeteve janë mundësuar 2 rrugë alternative të obligueshme anash punimeve, që janë secila rreth 500 metra gjatësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat