Avokati i Popullit del me rekomandime për parandalimin e torturës në Dubravë

Kosova

Avokati i Popullit del me rekomandime për parandalimin e torturës në Dubravë

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 17:29
Burgu i Dubraves

Zyra e Avokatit të Popullit ka publikuar sot raportin me rekomandime për parandalimin e torturës në Qendrën Korrektuese të Dubravës (QKD), pas vizitave të bëra nga Mekanizmat Kombëtarë për Parandalim të Torturës (MKPT), të realizuara nga 20 deri më 22 mars 2018.

Në njoftimin për media të zyrës së Avokatit të Popullit, thuhet se gjatë vizitave personeli i Qendrës Korrektuese në Dubravë (QKD) i ofroi ekipit monitorues të Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) bashkëpunim të plotë, kështu që ekipi pa vonesa pati qasje në të gjitha hapësirat e Qendrës.

Gjatë vizitës në këtë qendër, MKPT nuk ka pranuar ankesa për keqtrajtim fizik apo përdorim të tepruar të forcës nga zyrtarët korrektues. Ekipi monitorues ka pranuar dy ankesa nga dy të burgosur me pretendimin se janë keqtrajtuar fizikisht nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur u arrestuan dhe u dërguan në stacionet policore ku u intervistuan.

“Ekipi monitorues ka pranuar një numër të konsiderueshëm të pohimeve nga të burgosurit për korrupsion dhe favorizime. Sipas këtyre pohimeve, bazuar në një pagesë të caktuar të parave, të burgosurit mund të përfitojnë trajtim favorizues sa i përket mundësive për të punuar, vizita familjare, largim të përkohshëm jashtë institucionit, trajtim mjekësor etj. MKPT po ashtu ka pranuar një numër të pohimeve nga të burgosurit sipas të cilëve, të burgosurit e caktuar të kategorive të caktuara, trajtohen me favorizime krahasuar me të burgosurit tjerë. Duke mos paragjykuar nëse pohimet e tilla janë të vërteta apo jo, MKPT konsideron se drejtoria e QKD dhe organet kompetente të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) duhet të zhvillojnë hetime gjithëpërfshirëse dhe të pavarura sa herë që ka pohime për korrupsion dhe favorizime në QKD”, thuhet në njoftimin për media të OAP.

Sipas kësaj zyre, autoritetet në fjalë duhet të forcojnë përpjekjet e tyre për të luftuar këto fenomene përmes masave preventive, edukimit dhe aplikimit të sanksioneve adekuate. Gjatë vizitës në QKD, MKPT ka pranuar një numër të madh të ankesave lidhur me cilësinë dhe sasinë e ushqimit i cili u servohet të burgosurve. Të burgosurit pohuan se cilësia dhe sasia e ushqimit që u shërbehet për mëngjes dhe darkë është shumë e varfër. 

Kushtet e akomodimit, sipas raportit të avokatit të popullit, dallojnë nga pavijoni në pavijon.

“MKPT ka vërejtur se pavijoni 1 është rinovuar, tualetet dhe dushet ishin në gjendje të mirë, qelitë nuk kishin lagështi, ishin të gëlqerosura dhe të pastra. Qelitë në përgjithësi ishin të ngrohta, kishin ndriçim të mjaftueshëm, si dhe ventilim. Gjatë vizitës, MKPT i kushtoi vëmendje të veçantë të burgosurve të cilëve u ishte shqiptuar masa e vetmisë për shkak të shkeljeve disiplinore dhe të cilët mbaheshin në qeli të ndara. MKPT konsideron se qelitë e tilla duhet të plotësojnë kriteret e parapara me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale i cili përcakton se dhoma për ekzekutimin e vetmisë duhet të ketë një hapësirë prej së paku dhjetë (10) metra kub, pajisje sanitare, dritë natyrore, ujë të pijshëm, shtrat me çarçaf, tavolinë, karrige dhe ngrohje.  MKPT gjatë vizitës ka vërejtur se në pavijonin 2 nevojiten renovime pasi që kishte qeli dhe salla të ngrënies të cilat mbanin lagështi; dushet dhe tu aletet po ashtu ishin në gjendje të keqe. Gjatë vizitës është vërejtur se të burgosurit përdorin pajisje elektrike të improvizuara për ngrohje të ujit të cilat mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre”, thuhet më tej.

MKPT ka vizituar pavijonin 8 në të cilin vendosen të sapo pranuarit dhe i nënshtrohen një regjimi themelor i cili zgjat 28 ditë. Kushtet e akomodimit në këtë pavijon janë shumë të këqija dhe lehtë mund të barazohen me trajtim degradues, poshtërues dhe çnjerëzor. MKPT ka shprehur shqetësim serioz lidhur me faktin se një pjesë e pavijonit numër 8 shfrytëzohet si krah i spitalit dhe është e mendimit se me qëllim të arritjes së risocializimit dhe rehabilitimit të duhur të të dënuarve duhet të rriten aktivitetet e mirëfillta dhe të ketë sa më shumë programe rehabilitimi të cilat do të ishin në dispozicion të një numri sa më të madh të të dënuarve. 

“Po ashtu, MKPT konsideron se krijimi i njësisë ekonomike do të shtonte aktivitetet dhe angazhimet e një numri më të madh të të dënuarve. Krijimi i njësive ekonomike parashihet edhe me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Edhe gjatë kësaj vizite, MKPT ka vërejtur se spitali edhe më tej nuk posedon ashensor përmes së cilit do t’u mundësohej qasja në katin e dytë të dënuarve me aftësi të kufizuara. Gjatë kësaj vizite MKPT ka pranuar shqetësimet e drejtorisë për shkak të mungesës së personelit korrektues, punëtorëve social dhe psikologëve. Afërsisht 100 zyrtarë korrektues i mungojnë QKD-së sipas drejtorisë. Po sipas drejtorisë planifikohet shtimi i personelit korrektues për 50 zyrtarë të rinj. Po ashtu, drejtoria ka shprehur shqetësimin lidhur me moshën mesatare të personelit korrektues, e cila është 49 vjeç. Gjatë vizitës, MKPT ka pranuar shumë ankesa edhe nga personeli korrektues lidhur me numrin e vogël të zyrtarëve korrektues në raport me të burgosurit dhe kushteve tjera të punës”, thuhet tutje në raport.

MKPT, për të gjitha gjetjet dhe rekomandimet në raportin në fjalë, e ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës gjatë një takimi zyrtar.

Përmes këtij raporti MKPT e Avokatit të Popullit u ka rekomanduar institucioneve kompetente si në vijim:

- Të njoftohet MKPT e Avokatit të Popullit nëse është miratuar legjislacioni sekondar për luftimin e korrupsionit,

· Të përmirësohet cilësia dhe sasia e ushqimit,

· Të burgosurve t’u sigurohet ushqimi dietal sipas rekomandimit të mjekut kompetent,

· Të gjitha qelitë ku vendosen të burgosurit të cilëve u shqiptohet masa disiplinore e vetmisë të jenë në pajtim me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës;

· Të bëhen renovimet e nevojshme bazuar në konstatimet në këtë raport, veçanërisht pavijoni 8, të furnizohet kuzhina me pajisje adekuate sipas vlerësimit konkret;

· Të ndërmerren hapa konkret në mënyrë që të ndërpritet praktika e përdorimit të pajisjeve të improvizuara elektrike;

·MKPT ri përsërit rekomandimin që të burgosurit të furnizohen me dollapë për vendosjen e gjësendeve të tyre, MKPT ri përsërit rekomandimin që të funksionalizohet salla e sportit;

·Të funksionalizohet njësia ekonomike, MKPT ri përsërit rekomandimi që në spitalin e burgut të instalohet ashensori i cili do t’u mundësonte të burgosurve me aftësi të kufizuara qasjen në katin e dytë të spitalit;

·Të bëhen renovimet e nevojshme në spital, të angazhohet personeli i nevojshëm korrektues sipas vlerësimit të nevojave;

· MKPT ri përsërit rekomandimin që vendosen kamerat e sigurisë aty ku mungojnë, si dhe mundësinë teknike të ruajtjes së të dhënave për një kohë më të gjatë, të shtohet numri i punëtorëve social bazuar në numrin e të burgosurve në QKD;

· Të furnizohet QKD me të gjitha pajisjet dhe materialet e nevojshme për punë të përditshme, të adresohen nevojat e zyrtarëve korrektues sa i përket kushteve të punës dhe pajisjeve për punë;

-Të njoftohet MKPT lidhur me çështjen e përdorimit të peper spray dhe afatit të skaduar të të njëjtit;

·MKPT ri përsëritë rekomandimin që Ministria e Shëndetësisë  të angazhojë një stomatolog të rregullt;

·MKPT ri përsëritë rekomandimin që Ministria e Shëndetësisë  të angazhojë një psikiatër të rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat