KEDS pohon se ka rregulluar problemin, 5 fshatra të Ferizajt ende pa rrymë

Kosova

KEDS pohon se ka rregulluar problemin, 5 fshatra të Ferizajt ende pa rrymë

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 18:12

Fshatrat Zllatar, Dardani, Mirosalë, Bibaj, Fshati i Vjetër me mbi 9 mijë banorë, që mbi 18 orë kanë mbetur pa energji elektrike, ka bërë të ditur Xhevat Sallahu, anëtari i kuvendit të kësaj zone në Kuvendin Komunal të Ferizajt.

Ai ka thënë se ka mungesë të theksuar të energjisë elektrike për shkak se rrjeti elektrik është shumë i dobët dhe për çfarëdo prishjeje të motit ndalet energjia, pasi këputen përçuesit, ose rrëzohet ndonjë shtyllë elektrike.

“Përveç mungesës së energjisë këto fshatra mbesin edhe pa ujë,  pasi nuk kanë as rrjet ujësjellësi. KEDS na ka harruar që të investojë në këtë zonë. Diku nëpër Kosovë investon rrjet të energjisë edhe nëntokë, kurse në Komunën e Ferizajt as rrjet mbi tokë, që paraqet gjendje të mjerueshme”, është shprehur Sallahu.

Sipas tij energjia elektrike ka ardhur për pak kohë në ora 14.00 dhe banorët vazhdojnë të përballen me mungesë të rrymës që nga ora 1 e pasmesnatës së kaluar.

Ndryshe, më herët zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala në një përgjigje elektronike ka bërë të ditur se është sanuar problemi i prishjes me energji elektrike në këto fshatra që kishte ardhur si pasojë e motit të lig.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat