Fshati midis ujrave

Kosova

Fshati midis ujrave

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 23:27
Tërrni

Nuk është jo romani humoristiko -satirik i shkrimtarit shqiptar, Kolë Jakovës. Jo, ky është një fshat apo thënë më mirë fshati më i braktisur në Kosovë. Sapo të bie një shi, fshati vërshohet dhe përmbytet. Kush është pra? Është Tërrni, një fshat i moçëm, dikur me një lëndinë të bukur në mes fshatit e tash krejtësisht të shëmtuar, ndryshe i quajtur Trim në vitin 1455 në një defter turk. Sado është i moçëm, është më i papërfilluri, më i braktisuri, më i harruari. Nga kush? Nga shteti, nga pushteti, nga politika.

Ky fshat jeton midis ujërash, sidomos në dimër, por ujërat nuk e kursejnë edhe stinëve të tjera, madje as verës. Dhe për të lëvizur e për të jetuar u duhet një rrugë, të cilëtn e kanë nga koha e pushtetit jugosllav, por qëkur është çliruar Kosova, ata nuk e kanë ndjerë dorën e shtetit, për të cilin edhe kanë vuajtur nëpër burgje apo edhe kanë vdekë me armë në dorë. Se për fatin e tyre të keq, ata qe njëzetë vjet ndjehen të mohuar, të përbuzur, të anashkaluar. Sa herë kanë ardhur kryetarët e ri të komunës së Ferizajt në fushatat paraelektorale , ata i kanë marrë votat e tyre dhe tërrnasit e mashtruar kanë marrë premtime me thasë, por asnjëherë askush nuk ua ka zgjatur dorën dhe ndihmën e vërtetë. Fjalë të bukura kanë marrë vazhdimisht, por me fjalë asnjëherë nuk u meremetua apo nuk u ndërtua rruga e tyre, e cila është e tëra gropa-gropa dhe mijëra çarje por edhe s' ka mbetur veturë pa ia lënë një shenjë si kujtim i një udhëtimi të rëndë, të hidhur dhe të vështirë.

Të gjitha fshatrat përrreth kanë përfituar diçka nga ky pushtet, po Tërrni ka mbetur në gropën e tij të thellë, duke bërë jetë moçali, midis mushkonjash, ujërave të zeza e të qelbura, që rrjedhin shlirshëm nëpër fshat. Udhëtarët që kalojnë nëpër këtë fshat, do të ishte mirë që të vinin maskat mbrojtëse, që të mos futet në hundët e tyre era e rëndë kundërmuese e rrjedhave dhe qelbësirave të kanaleve kulluese përrreth rrugës apo të kanalizimit, që është futur pa asnjë fije profesionalizmi dhe siç thonë vetë fshatarët, është bërë kot sepse çdo gjë del jashtë dhe ka rrezik të shkaktojë ndonjë epidemi përmasash të mëdha.

Kur para një viti deputeti i Ferizajt Labinot Tahiri e solli ministrin Pal Lekaj për t' i bërë një vizitë fshatit, që ta shihte edhe ai vetë me sytë e tij, ishte habitur se si ende paska rrugë të tilla, përderisa bile të paktën me asfalt është mbushur pothuajse çdo cep i Kosovës deri edhe në pyllin më të largët! Ministri Lekaj paska premtuar menjëherë se do të fillojë ndërtimi dhe fshatarët kishin menduar se më fund paskan gjetur njeriun e mirë. Por edhe pas një viti kurrgjë nuk ka ndodhur se edhe vetë Pal Lekaj, që bën një jetë luksoze vetë, i ka futur veshët në lesh. Kur në një seancë të Parlamentit të Kosovës, deputeti Valon Ramadani i shtroi pyetjen Pal Lekajt se çka po ndodh me rrugën e Tërrnit, pyetja e deputetit shkoi në vesh të shurdhër se vetë Pal Lekaj nuk ishte i pranishëm në seancë!

U desh më në fund një protestë e vetë fshatarëve me deputetin Labinot Tahirin dhe me traktorë, maune e vetura që ta bllokojnë autostradën në Babush që të trokasë në ndërgjegjën e ministrit dhe strukturave të tjera komunale, të cilët dolën shpejt me deklarata se rruga do të shtrohet, por procedurat e prokurimit vazhduakan ende!!!

E sa zgjasin ato procedura? Me vite apo mbase edhe me dekada? Pse po ndodh kështu? Kështu kishte premtuar edhe kryetari Sfarqa, kështu kishte premtuar edhe ish ministri Zharku dhe asnjëherë s' kishte ndodhur asgjë përveç fjalëve të bukura dhe premtimeve neveritëse e boshe. Edhe pse Tërrni bën pjesë në një nga komunat më të mëdha dhe më të zhvilluara, e cila paguan edhe me taksat e Tërrnit, taksa më së shumti në qeverinë e Kosovës, ai asnjëherë nuk arriti të trajtohet si duhet nga komuna e vet. Bile ka zëra të dëshpëruar që flasin nëpër fshat se do të kishte qenë më mirë ndoshta të kishin shkuar me komunën e Shtimes apo edhe të Lipjanit, se ndoshta do ta kishin pasur një fat më të mirë. Edhe kryetari aktual i Ferizajt Agim Aliu ditën e protestave foli ca fjalë por ai vetëm konstatoi gjendjen dhe përsëriti sërish të njejtat "nota muzikore" të paraardhësve të tij.

Përse ka hasur sharra në gozhdë këtu? Ku qëndron faji? Sa rrugë të reja janë hapur dhe sa rrugë të tjera janë meremetuar pas lufte pafundësisht. Është loja e madhe e tenderëve që s' po përfundon kurrë për këtë fshat apo ku qëndron defekti? Fshatarët e Tërrnit janë të lodhur dhe të mërzitur dhe madje shumë nga ata kanë filluar ta braktisin fshatin e tyre duke kërkuar vendbanime të tjera më të joshëse ku jeta mund të zhvillohet normalisht për ta dhe për fëmijët e tyre. A ka fund kjo pritje e gjatë me dekada? Pushtetarë,ministra, kryetarë, shkoni njëherë në Tërrn dhe shihni ju vetë si jetojnë njerëzit atje, se edhe ata janë qytetarë të Kosovës dhe meritojnë të trajtohen si njerëz!!! Lerëni kolltuqet dhe zyrat e juaja dhe shkunduni për disa çaste nëpër gropat e rrugës së Tërrnit.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat