MMPH mbështet projektin e ujërave të zeza në Obiliq

Kosova

MMPH mbështet projektin e ujërave të zeza në Obiliq

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 15:48
Fatmir Matoshi

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot ka pritur në takim kryetarin e komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, me të cilin kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për realizimin e një projekti në fushën e mjedisit.

Matoshi tha se marrëveshja ka për qëllim bashkëfinancimin e projektit dyvjeçar për kanalizimin e dy fshatrave Brezhnicë dhe Kozaricë.

“Ministria e Mjedisit beson fuqishëm që ky projekt anipse po fillon në një periudhë jo shumë të volitshme, shtator, do të arrijë të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ne kemi besim tek kryetari dhe stafi I tij se kjo do të ndodhë. Ministria e Mjedisit për këtë vit mbështet këtë projekt me 100 mijë euro, kemi të parapara edhe 100 mijë euro të tjera për vitin 2019, ku u dakorduam se nuk janë të mjaftueshme për komplet projektin, por ne do të gjejmë rrugë të tjera dhe projektin nuk do të lëmë gjysmë”, ka thënë Matoshi. 

Ndërsa, kryetari Xhafer Gashi theksoi se kjo komunë në vazhdimësi ka pasur bashkëpunim me MPMH-në dhe projektet e tilla për ujëra të zeza është i mirëseardhur. Sipas tij, Ligji për Obiliqin tashmë është planifikuar me buxhet dhe pritet që prej vitit 2019 të implementimet në tërësi.

“Sa i përketë çështjes së ambientit, ndotësi më i madh në këtë rast është Obiliqi në tërë territorin e Kosovës, por mund të themi edhe në regjion. Është fat i mirë që ne në kornizën e dytë buxhetore kemi arrit me marrë edhe konfirmimin nga Ministria e Financave për implementimin e Ligjit për Obiliqin që të trajtohet në mënyrë të veçantë, edhe kjo do të në ndihmoj shumë, por mbi të gjitha për pastrimin e deponive të egra apo edhe të objektivave të tjera që të mbrojmë ambientin, ne do të jemi gjithherë në bashkëpunim me këndo që e nisë dhe merr iniciativë”, ka thënë Gashi.

Ai ndër të tjera ka thënë se buxheti total për ligjin në fjalë kap shumë mbi 4 milionë euro.

Matoshi në fund tha se me kryetarin Gashi ka folur edhe për projektin “Ta pastrojmë Kosovën”, që fillon më 15 shtator për një ambient më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat