KNKK thërret autoritetet të përmbushin obligimin për të zhdukurit

Kosova

KNKK thërret autoritetet të përmbushin obligimin për të zhdukurit

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 09:14
Personat e Zhdukur

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes një kumtese për media ka bërë thirrje drejt autoriteteve të vendit që të kryejnë obligimin ndaj familjeve të personave të zhdukur.

Me rastin e shënimit të kësaj dite në Kosovë, Agim Gashi, shef i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), tha “Ne mundohemi të ngrisim vetëdijen mbi nevojat e familjeve të cilat ende jetojnë në vuajtje dhe ankth si rezultat i mosdijes se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre. Në përpjekje të përbashkët për të paraqitur gjendjen e vështirë të familjeve, e për nder të kësaj date, KNKK përkrahë aktivitetet e Shoqatave Familjare për persona të zhdukur”.

Mungesa e informatave për varreza të reja, sipas Gashit, është pengesë kryesore për zbardhjen e rasteve ende të pazgjidhura të personave të zhdukur.

“Është shqetësues fakti se trendi i zbardhjes së rasteve ka rënë dukshëm viteve të fundit. Gjatë tetë muajve që lamë pas, vetëm 6 raste janë zgjidhur. Në këtë aspekt, ne kërkojmë nga autoritetet që të shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi humanitar, i cili vazhdon të prekë shoqërinë për afër dy dekada”, tha Gashi, njofton kumtesa.

Si pasojë e konfliktit të armatosur të viteve 1998/1999 në Kosovë, 6,057 persona i janë raportuar KNKK-së si të zhdukur. Përderisa procesi i kërkimit ka dhënë rezultate, duke iu mundësuar familjeve të 4,409 personave të gjejnë prehje, ky është një ngushëllim i vogël për familjet e 1,648 personave të zhdukur, që vazhdojnë të jetojnë në paqartësi aq gjatë.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare (DNH), ish-palët ndërluftuese në konflikt mbartin përgjegjësinë ligjore të ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për të zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur në territorin që ata kontrollonin dhe për t’i informuar familjet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat