OSBE trajnon Policinë e Kosovës për identifikimin e dhunës në familje

Kosova

OSBE trajnon Policinë e Kosovës për identifikimin e dhunës në familje

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 12:56
Ilustrim

Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli një kurs pesëditor të ‘trajnimit të trajnerëve’ me temë identifikimin e dhunës në familje për njësitë e policisë në bashkësi.

Kursi kishte në fokus indikatorët e hershëm siç janë dëshmitë fizike dhe shenjat psikologjike të viktimave; reagimi i parë i policisë dhe asistenca për viktimat e dhunës në familje dhe abuzimit seksual; si dhe ofrimi i sigurisë për policët dhe viktimat e përfshira.  

“Lufta kundër dhunës në familje është prioritet i Misionit”, tha Kilian Ëahl, Zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Parandalimi është vendimtar për të siguruar ulje efektive të rasteve të dhunës në familje. Ne mbështesim Policinë e Kosovës në zgjerimin e njohurive dhe shkathtësive të zyrtarëve policorë në aspektin e parandalimit. Kjo do të mundësojë identifikim të duhur të indikatorëve të hershëm të dhunës në familje dhe reagim para se të ndodhë diçka”, tha ai tutje, njofton kumtesa për media.

Ramadan Krasniqi, rreshter i policisë, tha se ky kurs ishte mundësi e shkëlqyer për të mësuar qasje të reja në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. “Së bashku me aktivitete të tilla trajnuese në të ardhmen, duhet të përqendrohemi edhe në ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi dhunën në familje dhe rritjen e bashkëpunimit tonë me ta për të minimizuar këtë fenomen negativ”.

Pas këtij kursi, pjesëmarrësit do të bëhen trajnerë të certifikuar dhe do të zhvillojnë kurse të ngjashme trajnimi për policët e tjerë të patrullimit në stacionet e tyre policore. 

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni  rregullisht ofron kurse trajnimi të avancuara  dhe të specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit për të përmirësuar më tej kapacitetet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat