Bytyqi premton përkrahje të qendrave mësimore

Kosova

Bytyqi premton përkrahje të qendrave mësimore

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 16:17
Shyqiri Bytyqi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka bërë thirrje që të përkrahen qendrat mësimore, të cilat ofrojnë arsim dhe edukim shtesë për fëmijët e komuniteteve.

Ai këto komente i ka bërë në hapjen e punëtorisë për rishikimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ, që ka të bëjë me themelimin dhe funksionalizimin e qendrave mësimore.

Sipas tij, me hartimin e këtij udhëzimi, do të rregullohet çështja e regjistrimit të këtyre qendrave, e kuadrit, e programeve që ofrohen, në mënyrë që të jenë në përputhje me kurrikulën e re, si dhe çështje të tjera me rëndësi.

Postimi i plotë i ministrit Bytyqi:

Sot mora pjesë në hapjen e punëtorisë për rishikimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ (UA), që ka të bëjë me themelimin dhe funksionalizimin e qendrave mësimore.

Kjo punëtori e organizuar nga MAShT në bashkëpunim me GIZ-in është shumë e rëndësishme, ashtu siç është jashtëzakonisht me rëndësi angazhimi për ta rishikuar dhe plotësuar këtë dokument ligjor, i cili rregullon funksionalizimin e qendrave mësimore dhe kjo është vazhdimësi e punës së MAShT për plotësimin e infrastrukturës ligjore aty ku është e nevojshme.

E çmoj punën dhe angazhimin e këtyre qendrave, të cilat ofrojnë arsim dhe edukim shtesë për fëmijët e komuniteteve, veçanërisht për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Me këtë po dëshmohet edhe një herë përkushtimi për gjithpërëfshirje dhe dhënie të mundësive të barabarta për të gjithë. Këto qendra po ndihmojnë fëmijët e këtyre komuniteteve që të përfitojnë njohuri dhe shkathtësi të duhura për jetën. Gjithashtu, ato kanë dhënë kontribut të çmuar për vetëdijësimin fëmijëve të këtyre komuniteteve për rëndësinë e arsimimit dhe edukimit, por kanë ndikuar edhe në rënien e shkallës së braktisjes së shkollimit.

Ky Udhëzim do të saktësojë shumë çështje për punën e këtyre qendrave dhe me plotësimet që do të bëhen, do të shihet më e qartë perspektiva e këtyre qendrave, qëndrueshmëria dhe aspekte të tjera.

Falënderova GIZ-in dhe partnerët tjerë që po e mbështesin MAShT-in në angazhimet për edukim gjithpërfshirës dhe theksova se po shikohen mundësitë për hartimin e një projektligji me të cilin do të rregullohet edhe çështja e financimit të institucioneve edukativo-arsimore jopublike.

Me hartimin e këtij Udhëzimi, do të rregullohet çështja e regjistrimit të këtyre qendrave, e kuadrit, e programeve që ofrohen, në mënyrë që të jenë në përputhje me kurrikulën e re, si dhe çështje të tjera me rëndësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat