Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari dhe nënkryetari z.Nuredin Lushtaku, kanë prit sot në një takim të paralajmëruar javë më parë, komandantin e KFOR-it, gjeneralin Salvatore Cuoci, me të cilin kanë diskutuar me theks të veçantë për zhvillimet e fundit në komunën e Skenderajt, pas protestës të së dielës kundër vizitës së presidentit të Serbisë Aleksander Vucic, në fshatin Bajë, si dhe sigurinë e përgjithshme në këtë komunë.
Kryetari Jashari ka thënë se qytetarët kanë protestuar kundër vizitës së Vucicit në fshatin Bajë, ku jeton komuniteti serb, për shkak se e kanë konsideruar fyerje këtë vizitë, para një kërkim faljeje për atë që ka shkaktuar Serbia në luftën e fundit në Kosovë.
Kryetari Jashari ka thënë se pavarësisht protestës, qytetarët dhe pjesëmarrësit kanë treguar pjekuri dhe qytetari të lartë, pasi e gjithë protesta ka përfunduar në mënyrë të qetë.
Sipas kreut të Komunës së Skenderajt, ka pas një mungesë të bashkëpunimit dhe koordinimit nga ana e nivelit qendror, i cili nuk e ka njoftuar më kohë kryetarin Jashari për vizitën në fjalë.
Megjithatë, kryetari i Skenderajt ka siguruar komandantin e KFOR-it se protesta e së dielës ka qenë kundër vizitës së presidentit të Serbisë në Skenderaj, komunë kjo që ka vuajtur më së shumti gjatë luftës, dhe në asnjë mënyrë kundër serbëve lokal, i cili trajtohet denjësisht në jetën institucionale, kjo për faktin se janë edhe të përfaqësuar në mekanizma dhe organe lokale.
Nënkryetari i Komunës, z.Nuredin Lushtaku ka thënë se meritat për protestë të qetë dhe që e gjitha kaloi pa ndonjë problem, i ka kryetari i Skenderajt, z.Bekim Jashari, me stafin e tij, që kanë kontribuar në ruajtje të qetësisë publike.
Edhe komandanti i KFOR-it e ka vlerësuar të qetë protestën e së dielës, dhe pa ndonjë problem.
Gjatë vizitës është diskutuar edhe aspekti i sigurisë në komunën e Skenderajt, ku kryetari Jashari ka thënë se, bazuar në raportet zyrtare të organeve që merren me çështje të sigurisë, komuna e Skenderajt vazhdon të mbetet e qetë, madje edhe në vendbanimet ku jeton komuniteti serb.
Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci është shprehur i interesuar edhe për aspektin e zhvillimit ekonomik të komunës së Skenderajt, ndërsa kryetari Jashari ia ka bërë të qartë synimet dhe planet në funksion të zhvillimit ekonomik, duke përmend Parkun e Biznesit, pastaj projektin e Pendës në Kuqicë, realizimi i të cilit do të siguronte furnizim me ujë të pijes dhe për ujitje për 200 mijë banorë.
Në fund të takimit, u pajtua se bashkëpunimi mes KFOR-it dhe Komunës së Skenderajt do të vazhdojë edhe në të ardhmen.