PSD vlerëson përkushtimin e diplomacisë shqiptare për sovranizimin e Kosovës

Kosova

PSD vlerëson përkushtimin e diplomacisë shqiptare për sovranizimin e Kosovës

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 22:18
PSD ne takim me Bushatin dhe Minxhozin

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, me nënkryetarin Visar Ymeri dhe kryetarin e Grupit Parlamentar, Dardan Sejdiu, kanë takuar sot ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Siç njofton PSD, gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërshtetëror, si dhe për procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Duke e theksuar nevojën e ndërtimit të konsensusit të gjerë politik, institucional dhe shoqëror në Kosovë, për çështjen e dialogut me Serbinë, Shpend Ahmeti, Visar Ymeri dhe Dardan Sejdiu kanë njoftuar Ministrin Bushatin dhe ambasadorin Minxhozi mbi Propozim-Rezolutën e Partisë Socialdemokrate për miratimin e platformës, ekipit negociues me bartësin e tij dhe mekanizmit mbikqyrës të dialogut, me shumicë të kualifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.  

Partia Socialdemokrate ka vlerësuar me këtë rast përkushtimin e diplomacisë shqiptare për sovranizimin e Republikës së Kosovës dhe për kontributin e saj për stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin rajonal”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat