Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, grumbullohen mbi 316 tonë mbeturina

Kosova

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, grumbullohen mbi 316 tonë mbeturina

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 13:28
Fatmir Matoshi, Luan Hasanaj, Xhafer Gashi, Rexhep Kadriu dhe Arbër Geci

Në dy ditët e para të aksionit "Ta pastrojmë Kosovën" kanë marrë pjesë rreth 110 mijë vullnetarë dhe janë grumbulluar mbi 300 tonë mbeturina, ndërkohë që Ministria e Arsimit ka marrë vendim që këtij aksioni t’i bashkëngjiten edhe shkollat e Kosovës, duke i angazhuar mësimdhënësit dhe nxënësit në pastrimin e ambientit shkollor.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, në një konferencë për media tha se planifikojnë ta ndajnë aksionin në shtatë rajone të Kosovës, nga 10 ditë për secilin rajon, me qëllim të krijimit të një ambientin sa më të pastër.

Matoshi: Janë grumbulluar mbi 316 tonë mbeturina

“Në ditën e djeshme dhe ditën e shtunë në aksion kanë qenë 109.345 vullnetarë, qytetarë. Janë grumbulluar 316.6 tonë mbeturina që janë dërguar nëpër deponi, edhe rreth, 46.234 thasë me mbeturina që kanë arritur të numërohen nga vullnetarët dhe nga komunat që kanë qenë pjesë e aksionit. Më 15 dhjetor kur edhe përfundon aksioni dhe kur llogaritet që Kosova do të jetë më e pastër se kurrë më parë”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka thënë se po vazhdojnë edhe me eliminimin e mbeturinave inerte dhe për këto të fundit ka njoftuar se kanë ndarë 50 mijë euro për Komunën e Prishtinës për krijimin e një deponie për mbeturinat inerte.

Luan Hasanaj nga "Lets do it Kosova", tha se nga nesër aksionet për pastrimin e Kosovës do të vazhdojnë në bashkëpunim me komunat.

Hasanaj: Nga nesër do të vazhdojmë me deponitë e mëdha dhe brezat rrugorë

“Nga nesër e tutje, aksionet do të vazhdojnë për eliminimin e deponive, janë hartuar plane në bashkëpunim me komunat ku do të intervenohet, fillimisht në deponitë më të mëdha që janë në territorin e komunave, për të vazhduar në brezin rrugor, deponitë të cilat janë diku rreth 136 që janë evidentuar prej vullnetarëve tanë. Ai do të jetë fokusi”, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, tregoi se Ministria e Arsimit ka marrë vendim që këtij aksioni t’i bashkëngjiten edhe shkollat e Kosovës, duke i angazhuar mësimdhënësit dhe nxënësit në pastrimin e ambientit shkollor.

Geci: Mësimdhënësit ta trajtojnë më shumë çështjen e ambientit në shkolla

“Bashkë me ministrin Bytyqi, kemi kërkuar nga të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të trajtojnë, në veçanti gjatë kësaj kohe, gjatë këtyre tre muajve sa do të zgjatë aktiviteti, po edhe në vazhdim, të gjithë mësimdhënësit të bisedojnë në vazhdimësi dhe të mbajnë tema aktuale që kanë të bëjnë me rëndësinë e pastrimit të ambientit dhe të bisedojnë me nxënësit për të ngritë vetëdijen”, ka thënë Geci.

Nënkryetari i Asociacionit të Komunave, Xhafer Gashi tha se ky aksion do të vazhdojë, dhe u zotua se komunat do ta përcjellin në vazhdimësi ecurinë e aksionit.

I pranishëm ishte edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili njoftoi se kjo ministri iu bashkua aksionit me 300 punëtorë në terren në rreth 20 lokacione. Ai tha se aksioni i pastrimit po vazhdon me kompanitë që i ka të kontraktuara kjo ministri.

Kurse, zëvendësministrja e MMPH-së, Milena Zdravkoviq, tha se në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe komunat serbe dhe se aksioni është zhvilluar me sukses, ndërkohë që presin më shumë angazhim në aksionet e ardhshme.

Aksioni "Ta pastrojmë Kosovën" ka filluar më 15 shtator në komunat e Kosovës dhe do të zgjasë deri më 15 dhjetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat