Haradinaj u takua me përfaqësuesit e SBASHK-ut

Kosova

Haradinaj u takua me përfaqësuesit e SBASHK-ut

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 19:15
Foto nga takimi

Një delegacion i SBASHK-ut, i kryesuar nga kryetari Rraahman Jasharaj është pritur sot nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Siç njofton SBASHK-u, në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministrat Mahir Jagcilar e Shyqiri Bytyqi.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut i kanë shprehur edhe një herë kryeministrit Haradinaj dhe kabinetit të tij kundërshtimin e bazuar të punëtorëve të arsimit ligur me Ligjin e pagave.

“Edhe përkundër angazhimeve tona të vazhdueshme  dhe  prezantimit të argumenteve tona të bazuara në takimet me Ministrin Jagcilar dhe Bytyqi,  versioni i votuar i Ligjit të pagave në  takimin e Qeverisë më 3 shtator nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e bazuara të SBASHK-ut kështu që ky ligj është degradues për tërë sistemin arsimor”, është shprehur Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj  duke kërkuar që kryeministri të bëjë hapa konkret  për realizimin e kërkesës së SBASHK-ut për korrigjim të këtij Projektligji, kurse menaxheri për financa e administratë,  Ymer Ymeri është ndalur  në shembuj konkret me të cilat ka dëshmuar edhe para kryeministrit se Projektligji i pagave i ka radhitur gjithë të punësuarit në arsim në një pozitë tepër të ulët duke kërkuar në emër të anëtarësisë së SBASHK-ut që ky projektligj të korrigjohet në mënyrë që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor. Kryeministri Haradinaj ka deklaruar se shqetësimet e ngritura nga SBASHK në këtë takim do të shqyrtohen me kujdes dhe se  ai dhe Qeveria do t’i rekomandojnë Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale  dhe Media që duke e analizuar këtë projektligj  të bëjnë përmirësime  në mënyrë që  pozita e punëtorëve të arsimit pa tjetër të  avancohet.  Kryeministri Haradinaj është shprehur se  Qeveria respekton punën e përkushtuar të punëtorëve të arsimit duke kujtuar edhe angazhimet dhe votimin e Projektligjit për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat