Intensifikohet bashkëpunimi i QKUK me Qendrën Klinike HUG të Gjenevës

Kosova

Intensifikohet bashkëpunimi i QKUK me Qendrën Klinike HUG të Gjenevës

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 12:33
QKUK

Me qëllim të inicimit të bashkëpunimit reciprok, një delegacioni i Qendrës Klinike Universitare HUG nga Gjeneva, me organizim të Konsultës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me MSH, dhe Odën Ekonomike Zvicerane, po viziton Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Delegacioni nga HUG, udhëhiqej nga Thomas Fassier, shef klinike, Sébastien Savornin, zëvendës shef i Infermierisë dhe Sylvie Dumont, zëvendës shefe e departamentit të kujdesit shëndetësor, e po ashtu Stefan Sarkany, kryetar i Odës Zvicër Kosovë, Jean Skeparnias, anëtar, Imri Limani, anëtar; Driton Aliaj, përfaqësues i Odës në Prishtinë.

Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka bërë një prezantim të punës së Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, përfshirë numrin e të punësuarve dhe shërbimet shëndetësore që ofrohen nga njësitë përbërëse të SHSKUK-së.

Ai foli për nevojën që ka QKUK për trajnime të stafit qoftë atij të mesëm, por edhe mjekëve në fusha të caktuara.

Ardian Ferizi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismali, tha se është i nevojshëm mbështetja dhe trajnimi i infermierëve në përgjithësi, e në veçanti trajnimi në funksionimin apo raportin mjek-infermier/e, në mënyrë që menaxhimi i pacientëve të jetë sa më i mirë.

Ndërsa, Fetije Huruglica, shefe e Divizionit të infermierisë në MSH, shpjegoi avancimet që janë bërë në fushën e infermierisë në Kosovë, duke theksuar nevojën për trajnime dhe avancime të mëtejme në këtë fushë.

Përfaqësuesit e delegacionit nga HUG, do të qëndrojnë dy ditë në QKUK dhe disa nga Spitalet e Përgjithshme, ku nga afër do të shohin kushtet e punës dhe nevojën për intensifikim të bashkëpunimi në trajtimin dhe avancimin e infermierëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat