Gratë e Kosovës sfidohen me barriera, kërkohet barazi gjinore

Kosova

Gratë e Kosovës sfidohen me barriera, kërkohet barazi gjinore

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 14:29
Kështu u tha në bashkëbisedimin "Gratë në Arsimin e Lartë dhe barazia në punë"

Vlerat patriarkale sfidojnë barazinë gjinore edhe në fushën e arsimit. Duhet hequr barrierat në arsimin e hershëm, në mënyrë që gratë të mos ndjehen të privuara nga zhvillimi i tyre profesional dhe karriera e tyre.

Kështu u tha në bashkëbisedimin "Gratë në Arsimin e Lartë dhe barazia në punë", organizuar nga kolegji Riinvest, ku rëndësi e veçantë iu kushtua nevojës për barazi gjinore, si parim strukturor që duhet të jetë.

Rektorja e kolegjit Riinvest, Bardha Qirezi, tha se është mungesa e meritokracisë ajo që bënë që të vihet në pah pabarazia gjinore, sidomos në fushën e arsimit të lartë dhe në vendet e punës.

Skemat joefektive sociale dhe sistemi i përkrahjes për fëmijë dhe pleq, sipas Qirezit janë dy barrierat kryesore që ndikojnë në pavarësinë e grave në Kosovë.

Ajo tha se struktura familjare në Kosovë  ende është shumë e madhe, dhe nevojitet përkrahje financiare shumë më e madhe për pavarësi dhe tranzicion.

Qirezi: Të hiqen barrierat në arsimin e hershëm

“Vetëm 47 çerdhe ekzistojnë në Kosovë. Mund të numëroni sa janë në Prishtinë dhe të krahasoni sa kanë qasje nënat dhe fëmijët në çerdhet në krejt Kosovën. Përveç kostos që është përafërsisht një e katërta e pagës mesatare, krijon margjinalizim të drejtpërdrejt tek fëmijët që nuk kanë qasje në këtë shkollim parafillor. Përveç që ndikon te fëmijët dhe tek barra e nënës që t’i edukojë fëmijët dhe t’i socializojnë ata, po ashtu është barrierë konkrete për zhvillimin e mëtutjeshëm në arsim dhe futjen në tregun e punës, e lëre më inkuadrimi në jetën politike, publike dhe pozita menaxheriale... Si politikë do të ishte më e arsyeshme që të zvogëlohen barrierat në arsimin e hershëm, pra të hiqen pagesat në arsimin e hershëm, përderisa në arsimin e lartë ka më shumë mundësi për me u gjet më vonë”, tha ajo.

Rektorja Qirezi theksoi se në Kosovë ka qasje të barabarta në arsim, në shkolla dhe në universitet, mirëpo theksoi se braktisjet ndodhin në vitin e fundit të shkollës së mesme apo vitin e fundit të fakultetit.

Sipas saj, ka një nën përfaqësim në disa fusha, siç janë inxhinieria dhe shkencat, teksa shtoi se vërehen vonesa në diplomimin e femrave.

Profesoresha e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Nita Luci tha se vlerat patriarkale dhe strukturore vazhdojnë ta sfidojnë barazinë gjinore. Ajo theksoi se barazia gjinore duhet të jetë parim strukturor e jo të shihet në numra.

Luci: Në MAShT gratë nuk e mbajnë asnjërën nga 8 pozitat udhëheqëse 

“Në MAShT deri më tani nuk ka pasur një grua si ministre apo zëvendësministre. Sipas Agjencionit Statistikor të Kosovës në vitin 2014 në postin e ministrit ka qenë një burrë dhe tre të tjerë në postin e zëvendësministrave. Në MASHT, gratë nuk e mbajnë asnjërën nga 8 pozitat vendimmarrëse. Ndërsa në poste udhëheqëse janë rreth 23 për qind gra. Gjithashtu, burrat marrin 40 për qind të mëditjeve dhe të pagave nga MASHT-i”, tha ajo.

Ndërsa Ariana Qosaj nga KIPRED, theksoi se statistikat e përfaqësimit të grave në institucione janë shqetësuese.

Qosaj: Qeveria ngjan me odë të burrave, ka vetëm një ministre

“Përfaqësimi në emërimet politike mbetet ende sfidë. Nga 21 ministra, vetëm një është grua. Kjo tregon se sa e përcjellim trendin e votuesve dhe sa hapësirë ju japim grave sepse pozitat janë të rezervuara për burra. Nga 64 zëvendësministra vetëm 3 janë gra dhe 61 janë burra. Dhe nga 66 këshilltarë politik, 14 gra dhe 52 janë burra. Për këtë arsye e quaj një lloj ode të burrave sepse kjo tregu që dominimi vazhdon dhe fatkeqësisht vendimmarrja do të afektohet në procesin e realizimit të këtyre kërkesave”, tha ajo.

Ekonomistja dhe hulumtuesja Dita Dobranja tha se gratë e punësuara hasin në barriera në vendet e tyre të punës.

Dobranja: Gratë e punësuara hasin në barriera tjera në vendin e punës

“Gratë të cilat i tejkalojnë barrierat për me gjet një punë dhe punësohen, faktikisht kur i kemi pyet, rreth 52 për qind e tyre kanë thënë se kanë has në barriera edhe në vendin e punës. Edhe më specifikisht, 11 për qind e grave kanë deklaruar se ndjehen të diskriminuara në vendin e punës”, tha Dobranja. 

Gjatë këtij diskutimi u tha po ashtu se për dallim prej universiteteve publike, në kolegjet private ka dyfish më shumë meshkuj se sa femra, gjë që sipas penalistëve lë të nënkuptohet se familjet investojnë më shumë për djemtë se sa për vajzat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat