Nënshkruhet marrëveshja që zgjidh problemin e ujërave të zeza në komunën e Podujevës

Kosova

Nënshkruhet marrëveshja që zgjidh problemin e ujërave të zeza në komunën e Podujevës

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 16:22
Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka marrë kredi në vlerë prej 5 milionë e 349 mijë euro nga UniCredit Bank Austria AG, për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në komunën e Podujevës.

Marrëveshjen e nënshkruan ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder, me ç’rast bënë të ditur se marrëveshje të tilla priten të arrihen edhe për komunën e Ferizajt, Istogut, Graçanicës dhe Shtimes.

Ministri i Financave, Bedri Hamza duke falënderuar Republikën e Austrisë, tha se kjo  e fundit po ndihmon në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Hamza: Pas Podujevës do të vazhdojmë me Ferizajn, Istogun, Graçanicën dhe Shtimen 

"Marrëveshja kap shumën prej 5 milionë e 349 mijë euro dhe është me kushte jashtëzakonisht të volitshme. Këto kredi nuk kanë normë të interesit përveç që e kanë një tarifë zotuese që është 1.6 përqind, kanë grejs periudhë dhe afat të maturimit që pritet të kthehen për më shumë se 11 vite. Projekti do të zhvillohet në komunën e Podujevës ndërsa financimi është i nivelit qendror që në këtë rast e merr MF. Shumë shpejt presim që të vijmë me marrëveshje të reja që kanë të bëjnë me komunën e Ferizajt, Istogut, Graçanicës dhe Shtimes", tha Hamza.

Sabina Eder, drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG, tha se Banka e Austrisë është krenare që është pjesë e kësaj nisme, pasi që sipas saj ky bashkëpunim i afron edhe më shumë Kosovën dhe Austrinë.

Eder:  Marrëveshjet si kjo bashkojnë edhe më shumë Kosovën dhe Austrinë

“Jam sot në Prishtinë për të nënshkruar marrëveshjen për të siguruar trajtimin e ujërave të zeza për qytetin e Podujevës. Kjo formë e kreditimit është e mbështetur dhe garantuar nga Austria. Dhe qëllimi është që të zhvillohet vendi, në këtë rast Republika e Kosovës. Dhe kjo është marrëveshja e parë, pasi që pritet të vazhdojnë edhe të tjera të tilla Banka e Austrisë është krenare që është pjesë e kësaj nisme, sepse në njëfarë mënyre i sjellë më afër Kosovën dhe Austrinë”, tha ajo.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pflander, i cili  u shpreh i lumtur me arritjen e kësaj marrëveshje, me ç'rast tha se pret që gjithçka të shkojë sipas planeve dhe sipas rregullave.

Me këto skema, ambasadori tha se përveç infrastrukturës zhvillohet edhe ekonomia e Kosovës.

Pflander: Ne duam që gjithçka të shkojë sipas rregullave

"Marrëveshja për huan e vënë  mes Kosovës dhe Austrisë është në procedurë tash e disa vite. Dhe tani po i zbatojmë dy aspekte të saj. Sot po futemi në fazën e dytë me projektin që po fillon në Podujevë. Ne gjithmonë themi se duam që gjithçka të shkojë sipas rregullave dhe që t'u përmbahemi të gjitha rregullave dhe ligjeve të Kosovës. Për ne kjo është një marrëveshje e rëndësishme midis dy vendeve dhe shpresoj që do të kemi implementim të shpejtë të projekteve që janë në punë e sipër", tha ai.

 Ndërsa kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu tha se përfituesit më të mëdhenj  të këtij projekti janë qytetarët.

Ai bëri ët ditur se projekti përfshinë gjithë territorin e komunës së Podujevës, gjegjësisht lumin Llap, Dumnicën dhe Batllavën.

Veliu: Përfituesit më të mëdhenjë të këtij projekti janë qytetarët e Podujevës

“Më i lumturi sot jam unë edhe pse pas një periudhe të gjatë pritjeje... Jemi një hap afër përmbylljes së këtij procesi, sepse pas nënshkrimit marrëveshja duhet të kalojë në Kuvend... Sigurisht përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti janë qytetarët e Podujevës, sepse me realizimin e këtij projekti i cili është i hartuar nga komuna e Podujevës do të përfitojnë ata dhe me këtë rast do të krijohen kushte për zhvillim më të mirë dhe trajtim të ambientit ashtu sikurse kërkohet”, tha Veliu.

Marrëveshja e nënshkruar sot pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat