Mungesa e ligjeve në Kosovë e vështirëson të bërit biznes

Kosova

Mungesa e ligjeve në Kosovë e vështirëson të bërit biznes

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 11:50
Foto nga takimi

Në Kosovë nuk ka klimë të të bërit biznes. Mungesa e ligjeve dhe vullneti i legjislativit dhe ekzekutivit për t'i ndryshuar ato paraqet problem thelbësor për bizneset.

Kështu tha kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi në një takim të përbashkët me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.

 Sipas tij, Ligji për Bujqësinë dhe ai për Minierat ka 10 vite që diskutohet e kalojnë nga Qeveria në Kuvend dhe anasjelltas e që nuk ndryshohen.

"Një nga arsyet tjera është mungesa e ligjeve dhe mungesa e vullnetit të Kuvendit dhe Qeverisë për t'i ndryshuar ato. Oda e Afarizmit ka vërejtur se ka ligje të cilat ka 10 vite që janë duke u diskutuar. OAK ka pranuar gjithashtu ankesa për lëvizshmërinë e çmimeve në treg", tha Krasniqi.

E kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës Valon Prestreshi, informoi bizneset për fushat të cilat i rregullon ky Autoritet.

Ai bëri të ditur se kartelat, marrëveshjet e ndaluara dhe abuzimi me pozitën dominuese janë detyrat që Autoriteti i Konkurrencës i kryen.

 "Marrëveshjet e ndaluara janë kur bizneset në një treg gjeografik, psh në Skenderaj, ulen dhe merren vesh që disa firma me e shit me 0.20 euro dhe qytetari nuk ka alternativë se ku të shkojë dhe ta blejë më lirë. Kjo është shkelje shumë e rëndë. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës operon për t'i ndaluar këto. Tjetra është abuzimi me pozitën dominuese. 25 përqind konsiderohet se je e fuqishme dhe me manovru me çmime. Ne nuk jemi organ politikbërës. Ne jemi organ që i zbatojmë ligjet e Kuvendit", shpjegoi ai.

Ndërsa përfaqësues të bizneseve parashtruan një numër pyetjesh që kishin të bënin me problemet që hasin gjatë operimit të biznesit të tyre.

Për Elham Hazirin nga Shoqata e Operatorëve Kabllor abuzimi me pozitën në treg është problemi më i madh me të cilin ata ballafaqohen.

Kurse Mensur Bytyqi nga libraria PEMA, tha se vet shteti po iu bënë konkurrencë bizneseve të vogla në vend.

Ai kërkoi që shteti të bëjë seleksionimin e nevojtarëve e jo të ndihmojë vetëm tri shtëpive botuese, siç ka bërë me shpërndarjen e librave për nxënësit e shkollave fillore. "Direkt shteti na bënë neve konkurrencë. Unë e di se Qeveria mund të ndihmojë nevojtarët e jo ata që kanë. Shtrohet pyetja se kush po përfiton këtu. Kanë mundur si në Shqipëri me na dhanë një pjesë neve. Është monopolizimi i tregut, psh ne po duhet të mbijetojmë me libra dhe lapsa. Atëherë ata le t'i marrin krejt libraritë. Ky është monopol i vrazhdë", theksoi ai.

E sqarime për këtë dha zëvendëskryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, i cili tha se kjo është një ndihmë shtetërore.

"Qeveria nuk del mirë nëse e ndihmon vetëm një ndërmarrje. Rasti juaj bojën aty ku shteti e ndihmon dikë mirëpo e dëmton dikë tjetër", u përgjigj ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat