Rihapet gjykimi për vrasjen në Ratkoc të Rahovecit

Kosova

Rihapet gjykimi për vrasjen në Ratkoc të Rahovecit

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 15:56
Foto nga Gjykimi

Gjykata Themelore e Gjakovës nuk e ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit për vrasje në Ratkoc të Rahovecit, Feriz Hoti.

Kjo pasi është gjetur dëshmitari i arratisur më parë nga burgu.

Natën e 17 Majit 2017, dëshmitari Muhamet Kiqmari nga Podujeva, bashkë me Evan Poterën, Liridon Sylejmanin dhe Hamdi Jusufi, kishin dalë me makinë me qëllim që të vjedhin një market.

Kiqmari tha se ‘në fillim kemi parë një shtëpi 6-7 metra larg marketit ku ka qenë e ndezur një dritë në katin e dytë, mirëpo kur i jemi afruar marketit dritën e ndezur nuk e kemi parë më”.

“Unë kam tentuar ta hap derën e marketit me një mjet, ndërsa Evani me dana, duke u munduar që ta këput zingjirin e dryrit të marketit dhe ndërsa Liridoni ka pritur në makinë. Pastaj dikush ka gjuajtur me armë 2-3 herë dhe ne kemi filluar të ikim”, ka treguar dëshmitari Kiqmari.

“Hamdiun e kam parë vetëm që është rrëzuar, mirëpo nuk na ka shkuar mendja që e ka kapur plumbi. Mirëpo të nesërmen e kemi kuptuar që ka vdekur”, tha dëshmitari.

Avokati i të akuzuarit Sefer Morina, e pyeti dëshmitarin se “atë natë a e keni parë personin që ka gjuajtur me armë?”

“Jo, as nuk e kam parë sepse kam ikur”, u përgjigj dëshmitari.

Prokuroria pretendon se Feriz Hoti ka kryer vjrasjen e Hamdi Jusufit natën e 17 majit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, kur ka qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në seancën e kaluar, i akuzuari Feriz Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.

“Kërkoj nga Gjykata që të më lirojë nga aktakuza. Shpreh keqardhje për të dëmtuarën Nazife Jusufi, mirëpo unë jam i pafajshëm dhe se në burg po qëndroj qe 15 muaj pa faj”, kishte thënë i akuzuari Hoti.

Gjykimi vazhdoi me fjalën përfundimtare dhe prokurori Uka tha se mbetet në tërësi pranë fjalës së tij përfundimtare të dhënë në seancën e kaluar.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit avokati Sefer Morina, tha se edhe pas dëshmisë së sotshme të dëshmitarit Muhamet Kiqmari, nuk është vërtetuar fajësia e të mbrojturit tim, sepse ai të akuzuarin nuk e ka parë natën kritike.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti, pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata vazhdojnë të ikin ai vazhdon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër në ora 09:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat