Sivjet si asnjëherë, mollë me bollëk e cilësore në Kosovë

Kosova

Sivjet si asnjëherë, mollë me bollëk e cilësore në Kosovë

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 15:19
Mollat

Kultivuesit e mollës së Kosovës u bëjnë thirrje konsumatorëve të blejnë vetëm prodhime frutore vendore, të të gjitha kulturave me të cilat vendi është i pasur. Sipas tyre, sivjet Kosova ka prodhimin më të madh dhe më kualitativ të mollës krahasuar me disa nga vitet e fundit. Ky do të duhej të ishte lajm për festë, sepse pas dredhëzave, patateve, specave dhe domateve Kosova po pavarësohet edhe me mollë.

“Të gjithë duhet të mobilizohemi të bëjmë prodhuesit vendor të ndjehen mirë me punën e tyre. Është detyrë e prodhuesve të prodhojnë sasinë e mollëve që i duhet Kosovës por edhe për eksport; të prodhojnë mollë cilësore; të rrisin fitimet dhe të kanë në konsideratë shëndetin e qytetarëve tanë. Ndërkaq, tregtarët duhet në radhë të parë të furnizojnë konsumatorët me pemë nga vendi të cilat janë cilësore dhe të freskëta. Detyra e institucioneve është të mbrojë prodhuesit vendorë si dhe të lehtësojë shitjen e mollëve vendore. Konsumatori duhet të besojë në cilësinë e prodhimeve vendore. Konsumatorë të dashur, në çdo pikë shitjeje kërkoni së pari prodhimet vendore”, ka thënë Maxhun Shehaj, drejtor i Shoqatës së Kultivuesve të Frutave.

Prodhuesit janë ankuar edhe për praktikat jolojale të tregtarëve të frutave. Ata kanë treguar që ka raste kur tregtarët gjenerojnë një profit prej 50%, 100% e ndonjëherë edhe mbi 200% mbi çmimin furnizues, në kurriz të prodhuesve dhe konsumatorëve. Ata u kanë shprehur mirënjohje tregtarëve të cilët kanë treguar konsideratë dhe mbështetje për prodhuesit vendor në këtë sezonë. Kultivuesit u kanë bërë thirrje konsumatorëve të bëjnë presion mbi ata tregtarët që gjatë bërjes biznes spekulojnë në kurriz të konsumatorit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Rreth dy mijë hektarë janë të mbjellë me kulturën e mollës, të cilat janë ngritur kryesisht në dekadën e fundit. Investitorët vendorë e të huaj kanë investuar miliona euro, të mbështetur me skema qeveritare përmes grandeve e subvencioneve dhe nga donatorët e huaj, me qëllim të krijimit të pavarësisë në furnizim me fruta të vendit. Sivjet prodhuesit komercialë janë organizuar në Shoqatën për Kultivimin e Frutave që synon avancimin e pemëtarisë në Kosovë dhe mbrojtjen e interesave të pemëtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat