Ditët e trashëgimisë evropiane shënohen në Dresnik të Klinës

Kosova

Ditët e trashëgimisë evropiane shënohen në Dresnik të Klinës

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 18:56
Kujtim Gashi, ka vizituar lokalitetin arkeologjik në Dresnik të Klinës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar lokalitetin arkeologjik në Dresnik të Klinës, me ç'rast ka marrë pjesë në shënimin e ditëve të trashëgimisë kulturore evropiane dhe vitit evropian të trashëgimisë kulturore.

Ministri Gashi tha se përmes këtij aktiviteti synohet ngritja e vetëdijes për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ai e cilësoi Dresnikun si një lokalitet të veçantë, për të cilin tha se janë duke punuar për ta shndërruar në pikë turistike.

Gashi: Ditët e trashëgimisë evropiane po nxisin bashkëpunime

"Ditët e trashëgimisë evropiane, gjithashtu ofrojnë përvojë të rëndësishme për bashkimin e njerëzve rreth historisë dhe trashëgimisë së përbashkët evropiane, duke inkurajuar ata që ta mbrojnë atë. Këto ditë të trashëgimisë përmes aktiviteteve të ndryshme kanë nxitur bashkëpunime të shumta në mes popujve dhe shteteve, kanë involvuar akterë e shtresa të ndryshme të shoqërisë që të bashkëpunojnë për një të mirë të përbashkët, e kjo e mirë është mbrojtja e trashëgimisë kulturore. E veçanta e kësaj ngjarje është për faktin se, në për herë të parë këtë ngjarje e shënojmë në lokalitetin e Dresnikut, si njëri ndër vendbanimet më të rëndësishme në Dardaninë Antike, në të cilin lokalitet për shumë vite janë duke u zhvilluar punime intensive nga Institucionet tona dhe punonjësit profesional të fushës së Trashëgimisë Kulturore", ka thënë Gashi.

Kurse, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj tha se ndihet i lumtur që Dresniku u zgjodh për t'i shënuar ditët e trashëgimisë evropiane. Ai premtoi që në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe qendrore do ta mbrojnë këtë lokalitet nga ndërtimet pa leje.

Elezaj: Do ta mbrojmë Dresnikun nga ndërtimet pa leje

Ndjehem shumë i lumtur që sot është përzgjedh Dresniku si lokalitet që të mbahen ditët e trashëgimisë së Evropës, këtë qendër të rëndësishme për të cilën ekzistojnë premisa të sigurta se garanton që do të jetë një lokalitet me rëndësi për të ardhmen e Klinës dhe Kosovës... Do të bëjmë të pamundurën ta mbrojmë këtë pjesë prej ndërtimeve ilegale të cilat po afrohen dita ditës", ka thënë Elezaj.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i Francës, Didier Chabert, i cili u shpreh i lumtur që vizitoi për së afërmi Dresnikut, të cilin e quajti potencial të madh për turizëm. Ai po ashtu tha se mbetet ende punë për t'u bërë jo vetëm në Dresnik, por edhe në lokalitete të tjera të Kosovës.

Chabert: Kosova mund të jetë më shumë e pranishme në fushën e turizmit

"Jo vetëm që ky vend i bën nder trashëgimisë kulturore por të gjithë arkeologët që po punojnë aty, i bëjnë nder Kosovës. Dhe kjo që e shohim sot, e dëshmon këtë, që është me të vërtetë një potencial i madh turistik për qytetin e Klinës dhe tregon që Kosova mund të jetë më shumë e pranishme në fushën e turizmit", ka thënë Chabert.

Përndryshe, ditët e trashëgimisë evropiane filluan në vitin 1991 nga Këshilli i Evropës dhe mbështetur nga Komisioni Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat