I jepet lamtumira e fundit ish-luftëtarit të UÇK-së, Skënder Krasniqi-Plaku

Kosova

I jepet lamtumira e fundit ish-luftëtarit të UÇK-së, Skënder Krasniqi-Plaku

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 20:27
Skënder Krasniqi, është varrosur sot, në ora 17:00, në varrezat e fshatit Carrallukë.

Sot në varrezat e fshatit Carrallukë të Malishevës, me nderime të larta nga FSK-ja, dhe nën përcjelljen e familjarëve dhe mijëra bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale, dhe qytetarëve të shumtë, është varrosur veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidi i luftës dhe ish mësuesi, Skënder Krasniqi-komandant Plaku.

Paraprakisht, në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, nga ora 15:00, janë bërë homazhe për Skënder Krasniqin, ndërsa nga ora 16:00, është mbajtur edhe një mbledhje komemorative, ku krahas familjes, morën pjesë edhe deputet të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë dhe përfaqësues të institucioneve nga niveli qendrorë dhe lokal,  përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, zyrtarë të partive politike në vend dhe në nivel lokal, dhe qytetarë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare.

Siç njofton Komuna e Malishevës, në këtë mbledhje komemorative, është vlerësuar lartë jeta dhe veprimtaria e Skënder Krasniqit, në fushën e arsimit dhe në veçanti në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku baca Skënder, ishte njëri ndër themeluesit e celulave dhe njësive të para në Komunën e Malishevës. Skënder Krasniqi, gjithashtu ishte edhe njëri nga përgjegjësit, gjatë transformimit të UÇK-së në TMK, ku gjithashtu luajti rol të rëndësishëm, deri në pensionimin e tij. Shtëpia e tij, ishte njëra ndër bazat e para të UÇK-së, ndërsa vet Skënder Krasniqi, me tërë familjen e tij, ishin të inkuadruar në luftën çlirimtare të UÇK-së.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, duke folur në këtë mbledhje komemorative, tha se “Skënder Krasniqi, nuk u ndal kurrë së punuari për vendin, deri në momentin e ndarjes nga jeta”. Më pas, kryetari Begaj, ka kujtuar edhe momentet e tij, para, gjatë dhe pas luftës, me Skënder Krasniqin, duke e çmuar lartë angazhimin e tij, në shërbim të atdheut dhe kontributin e tij në luftën çlirimtare.

Kujtime nga veprimtaria e Skënder Krasniqit, i kanë shpalosur edhe Gjeneral Enver Cikaqi, i cili foli për rolin që luajti baca Skendë, në luftën çlirimtare dhe në transformimin në TMK, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

Edhe bashkëluftëtarja Shqipe Krasniqi, ka kujtuar momente nga lufta, kur, sipas saj, edhe në momentet më të vështira, Skënder Krasniqi, nuk u dorëzua asnjëherë.

Në këtë mbledhje komemorative, në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka folur edhe Hysni Gucati, përderisa Skënder Krasniqin e vlerësoi si një burrë trim, i cili dallohej për burrërinë e tij të treguar gjatë dhe pas luftës.

Në emër të familjes, të pranishmit, i ka falënderuar për pjesëmarrje dhe për nderimet e bëra, djali i tij, Arben Krasniqi.

Skënder Krasniqi, është varrosur sot, në ora 17:00, në varrezat e fshatit Carrallukë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat